2007-05-30 17:21:57

Shpresa është qendra e jetës së krishterë: këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar veprës së Tertulianit.


(30.05.2007 RV)RealAudioMP3 Mospranimi i dhunës është rregull jete për të krishterët, të cilët frymëzohen gjithnjë nga shpresa: këtë kujtoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, duke i ftuar besimtarët t’i pranojnë me përvujtëri ligështitë e veta e ato të Kishës. Audiencën e ndoqën rreth 50 mijë shtegtarët nga të katër anët e botës, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u takuar me Papën. Ndërmjet tyre ishin edhe prindërit e Madalenës, vajzës 4 vjeçare angleze, rrëmbyer në Portugali më 3 majin e kaluar, për të cilën flitet këto ditë në kronikat televizive të shumë vende evropiane.
Në qendër të vëmendjes në audiencën e sotme të përgjithshme, ishin veprat e Tertulianit, shkruar ndërmjet fundit të shekullit të dytë e fillimit të të tretit, pas Krishtit, me të cilat fillon letërsia e krishterë në gjuhën latine. Prej tyre e mori shtytjen Ati i Shenjtë, për t’i nxitur besimtarët të mos e humbasin kurrë shpresën, siç bëri edhe shkrimtari i shquar afrikan, i kthyer në fenë e krishterë. E shpresa për të cilën foli Papa nuk është thjeshtë një virtyt më vete, por një element që përshkon çdo aspekt të jetës së krishterë:
“Kështu ngjallja e Zotit paraqitet si themel i ngjalljes sonë të ardhshme e përbën qëllimin kryesor të besimit të të krishterëve”.
Më pas Ati i Shenjtë foli për dramën njerëzore të Tertulianit i cili, me kalimin e viteve, u bë gjithnjë më kërkues ndaj të krishterëve. Pretendonte prej tyre qëndrim heroik në çdo rrethanë e, posaçërisht, përballë persekutimeve. I patundur në këtë qëndrim, s’i kurseu kritikat e ashpra, gjë që përfundoi me izolimin e tij të plotë:
“Mua më bën të mendoj shumë personaliteti i madh moral e intelektual i këtij njeriu, që i dha një ndihmesë të shquar mendimit të krishterë. Por shihet se në fund të fundit i mungoi thjeshtësia, përvujtëria për t’u radhitur në Kishën katolike, për të pranuar ligështitë e saj, për të qenë tolerant me të tjerët e me vetveten. Në se shikohet vetëm mendimi vetjak në madhështinë e tij, në fund madhështia humbet. Një nga karakteristikat themelore të teologut të madh duhet të jetë gjithnjë përvujtëria, dëshira për të qenë kurdoherë me Kishën, për të pranuar ligështitë e saj e të vetat, sepse vetëm Zoti është vërtetë i shenjtë, në sa ne të gjithë kemi përherë nevojë për falje”.Duke kujtuar përvojën e të krishterëve të parë, mbartës të një kulture të re në krahasim me trashëgiminë klasike, Benedikti XVI ripohoi vazhdimësinë e përhershme të vlerave njerëzore e atyre ungjillore, posaçërisht mospranimin e dhunës si rregull jete:
E s’ka njeri që nuk e vëren aktualitetin dramatik të këtij mësimi, parë edhe në dritën e debatit të fortë mbi fetë”.
Është një rrugë e domosdoshme feje kjo, që duhet ta ndjekë i krishteri, i cili nuk mund t’i urrejë as armiqtë e vet - theksoi me forcë Papa. E këto fjalë i prekën thellë Gerri e Kejt McKann, prindërit e Madelenës së vogël, të rrëmbyer në sa kalonte pushimet me familjen në jug të Portugalisë. Ata kanë ardhur në Romë për t’u lutur e për të kërkuar një fjalë ngushëlluese nga Ati i Shenjtë, me të cilin u takuan në përfundim të audiencës.







All the contents on this site are copyrighted ©.