2007-05-30 17:22:07

Shekullarizimi i shpërfill vlerat e mbinatyrshme e ia mbyll rrugën së vërtetës: kardinali Bertone flet në takimin mbi fenë e laicitetin.


(30.05.2007 RV)“Të krishterët janë pararoja e një Evrope të re, që mund të jetë realistike, por jo cinike, e pasur me ideale, e lirë nga iluzionet foshnjore dhe e frymëzuar nga vërtetësia e Ungjillit” - këtë theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone në fjalimin e mbajtur dje pasdite në Romë, gjatë takimit me temë “Krishtërimi e shekullarizimi: sfidat për Kishën e për Evropën”. Në këtë takim, të organizuar nga Universiteti evropian në Romë, mori pjesë edhe imzot Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, i cili foli pas kardinalit Bertone, kryesisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Shekullarizimi, duke mos u shqetësuar për vlerat e mbinatyrshme, me kalimin e kohës nuk mundi ta fshehë mungesën e humanitetit, ia mbylli rrugën së vërtetës duke e zëvendësuar me idelogjinë, me skepticizmin ose me nihilizmin - nënvizoi kardinali Bertone. Historia – vijoi Hirësia e Tij – i përgënjeshtroi mesianizmat pa mesinë të cilat, duke i lënë mënjanë vlerat e kristianizmit, duke e privatizuar fenë e duke e bërë moralin të pavarur nga feja, besonin se do të krijonin një njerëzim vërtetë të lirë e dinjitoz. Për Kardinalin Bertone, feja duhet parë si burim i kuptimit të jetës. Jeta vetë tregon se krishtërimi ka dhënë prova si element themelor i çlirimit të vlerave morale:
“Në vizionin e krishterë vlerat themelore vijnë nga Hyji, nga Ai që krijoi vetë njeriun e bashkësinë njerëzore. Njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Hyjin dhe njerëzimin, krijuar sipas shembëlltyrës së bashkimit të tri vetjeve, që është bashkimi trinitar. Kjo nuk do të thotë se ata që nuk besojnë nuk mund t’i propozojnë e t’i jetojnë vlerat themelore. Nuk ka asnjë dyshim. Por në se shkëputen nga Zoti, këto vlera e humbasin gjithë forcën e tyre. Megjithatë Kisha dialogon me të gjithë, Kisha kërkon të ndërtojë, së bashku me të gjithë, një botë të ngritur mbi themelet e drejtësisë e të solidaritetit”. Por ky mesazh, që Kisha u drejton institucioneve, shpesh here keqkuptohet - tha kardinali Bertone, e më pas shtoi:
“Është problem komunikimi. Dëshirojmë natyrisht ta forcojmë komunikimin e t’i vlerësojmë të gjitha mjetet e tij, kërkojmë t’i shpjegojmë edhe arsyet e fesë e arsyet e kontributit që Kisha i jep shoqërisë për të mirën e saj të përbashkët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.