2007-05-29 17:55:33

Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Misionare Botërore: “Me impenjim të ri misionar, Kisha i ofron shëlbimin e Krishtit njerëzve të kohëve tona”.


(29.05.2007 RV)Në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, që u publikua sot, Benedikti XVI i porosit gjithë të krishterët të jenë misionarë, dëshmitar të Ungjillit në kohën tonë. Tema e Ditës, që sivjet do të kremtohet më 21 tetor, është “Të gjitha Kishat, për të gjithë botën”. Dokumenti, nënshkruar nga Papa më 27 maj, në ditën e Rrëshajëve, thekson urgjencën për një hov të ri në veprimtarinë misionare, detyrë nga e cila Kisha nuk mund të heqë dorë.
Prandaj në Mesazhin papnor nënvizohet edhe se Kishat e botës së tretë duhet të jenë të gatshme për të dërguar misionarë atje ku ka nevojë, dmth edhe në vendet e misionarëve që ua patën predikuar së pari Ungjillin.
Benedikti XVI kujton se Bariu i Mirë, Krishti, i fton edhe Kishat e ungjillëzuara vonë t’i kushtohen bujarisht misionit ‘ad gentes’(ndërmjet popujve). Ndonëse u duhet të kapërcejnë vështirësi dhe pengesa jo të pakta – thekson Papa Racinger – këto bashkësi janë në rritje të vazhdueshme. Në disa prej tyre ka një numër të madh meshtarësh e rregulltarësh, shumë prej të cilëve, duke mos pasur nevoja të ngutshme në vend, dërgohen për të kryer shërbimin e tyre baritor e apostolik gjetiu, edhe në vende ku ungjillëzimi arriti që në kohët e para të krishterimit.
Vërehet në këtë mënyrë një shkëmbim dhuratash, që i shërben mbarë Korpit mistik të Krishtit - shpjegon Benedikti XVI, dhe në përfundim uron që bashkëpunimi misionar të thellohet më tej, duke vlerësuar mundësitë dhe karizmat e secilit.Në mesazh, Papa vlerëson lart aradhet e meshtarëve që duke lënë bashkësitë e veta, shkrinë të gjitha energjitë e tyre në bashkësi të sapolindura, duke mos kursyer as jetën në veprimtarinë misionare për përhapjen e Ungjillit deri në kufijtë më të skajshëm të tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.