2007-05-29 17:55:44

Ardhmëri paqësore për Republikën Qendroafrikane, të tronditur nga tensionet e konfliktet: këtë u uroi Papa ipeshkvijve të vendit afrikan.


(29.05.2007 RV)Ipeshkvijtë e Republikës Qendroafrikane, vend i tronditur thellë nga konfliktet politike e shoqërore, filluan që dje audiencat me Atin e Shenjtë me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’.
Sollën me vete shqetësimet e trazirat që vijojnë në ish-koloninë franceze që nga vitet e para të pavarësisë (1960), vite që nisen me ardhjen në pushtet të mareshallit Boksana, shpallur mbret 10 vjet më vonë e rrëzuar nga froni me rikthimin e republikës, që u pasua nga grushti i shtetit të gjeneralit Kolingba e më pas, nga zgjedhjet e para të lira të 1993, fituar nga Patasè, kryetar i Lëvizjes për çlirimin e popullit qendroafrikan. Por edhe kjo fitore u kundërshtua me armë nga forcat ushtarake, duke nisur nga viti 1997 deri në vitin 2000, kur ndërhyri OKB-ja e, me zgjedhjet e vitit 2005, u shpall president gjenerali Bozizè. Një situatë e tillë rëndohet edhe më shumë për shkak të grupeve rebele, që strehohen në Çadin fqinj e të ndjekësve të Patases, të shpërngulur në Togo. Në këto kushte e kryen misionin e vet Kisha katolike qendroafrikane, me një histori më se njëqindvjeçare, gjatë së cilës nuk ka pushuar së punuari për paqen e së dënuari dhunën, duke denoncuar edhe heshtjen mediatike mbi dramën e këtij vendi që jeton në kushtet e ndeshjeve të vazhdueshme fisnore, të anarkisë, të autoritarizmit politik, amullisë ekonomike, shkatërrimit intelektual e zhvlerësimit të çdo vlere.







All the contents on this site are copyrighted ©.