(28.05.2007 RV)Shën Gjermani lindi
në vitin 496 pranë qytetit francez Autun. Bir i padëshiruar i një gruaje, që nuk e
deshi kurrë, Gjermani nuk pati fëmijëri të lumtur. Jetoi pa ngrohtësi, si eremit,
derisa ipeshkvi i Autun-it, Agripini, e thirri pranë vetes duke e shuguruar diakon
e më pas meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit, i cili themeloi në Paris kuvendin
me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermè de Prè) një nga qëndrat më të rëndësishme
të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv i Parisit modern. Shenjti mori
pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës në Francë: në
Koncilin e Turit në vitin 567 dhe në Koncilet e Parisit. Njihet edhe si autori i dy
letrave me vlerë të veçantë për njohjen e liturgjisë galikane. Sipas traditës,
një ditë Shën Gjermani, tashmë ipeshkëv, i dha urdhër njërit nga sekretarët e tij
t’i shkruante mbi kokën e krevatit datën: “28 maj!”. Askush nuk e dinte ç’ kuptim
kishte kjo datë, derisa një vit më pas, pikërisht më 28 maj, ipeshkvi shenjt mbylli
sytë përgjithmonë, për t’u varrosur në Kapelën e Shën Sinforianit pranë kishës së
abacisë, në një varr të dekoruar, rreth viteve 635, nga Shën Eligji, këshilltar i
mbretit Dagoberti. Më pas reliket e tij u mbartën, në prani të Karlit të Madh e të
përfaqësuesve më në zë të klerit, në Kishën e Shën Gjermen-Vieu, që u bë qendër shtegtimesh
e vend mrekullish.