2007-05-28 17:27:18

Presidenti i Venezuelës i mbyll gojën opozitës e lajme të tjera


(28.05.07 RV)Në përfundim të një dite të gjatë me protesta e me ndërhyrje të dhunshme të policisë kundër demonstruesve anti-Çavez, RCTV-ja, Radio Televizioni i Karakas, opozitar, u mbyll sot në orën 6 të mëngjesit, me orën evropiane. Pas 53 vjet transmetimesh, qeveria e revolucionit të ri socialist nuk i rinovoi lejen emitentes kryesore private të Venezuelës. Pas një minuti, me himnin kombëtar, filloi transmetimet televizioni shtetëror i krijuar nga presidenti Hugo Çavez për të orientuar opinionin publik mbi temat e revolucionit të tij. Ka pasur protesta gjatë gjithë natës. Njerëzit janë përpjekur të arrijnë në Ministrinë e Informacionit dhe të Komunikimit, por janë shpërndarë nga policia, e cila ka përdorur edhe gaz lotsjellës e hidrantë kundër tyre.

Marrëveshja e djeshme për të zhvilluar zgjedhje parlamentare të parakohshme në Ukrainë është përshëndetur me kënaqësi nga autoritetet evropiane, mes të cilave përfaqësuesi për politikën e jashtme, Havier Solana e Terri Dejvis, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Marrëveshja ndërmjet presidentit të Ukrainës, Viktor Jushçènko dhe kryeministrit Viktor Janukòviç parashikon që zgjedhjet të zhvillohen më 30 shtatorin e ardhshëm. Ndërkohë, asnjëra nga palët nuk do të ndërhyjë në punën e sistemit gjyqësor. Do të zhvillohet gjithashtu një sesion i jashtëzakonshëm i parlamentit, për të ndryshuar ligjin zgjedhor.

Akoma e nderë situata në Liban. Gjatë natës janë hedhur granata kundër pozicioneve të ushtrisë qeveritare përreth kampit të refugjatëve palestinezë, ku janë strehuar milicët e grupit integralist, simpatizant i Al Kaedës. Armëpushimi pra, ndërpritet nga luftime sporadike, në pritje të një zgjidhje politike që akoma nuk shfaqet në horizont. Qeveria e Bejrutit kërkon dorëzimin e menjëhershëm të milicëve islamikë; fraksionet palestineze që janë ofruar si ndërmjetësuese nuk janë në një mendje mbi zgjidhjen e krizës; për civilët gjendja është gjithnjë e më kritike. Nëse para fillimit të luftimeve, në kamp banonin rreth 30 mijë refugjatë, tani kanë mbetur rreth 5 mijë. Ndërkaq, një mision i OKB-së do të kontrollojë kufirin me Sirinë, prej nga thuhet se vijnë armë dhe terroristë.







All the contents on this site are copyrighted ©.