2007-05-28 16:40:39

Papa në festën e Rrëshajve përkujton zanafillën e Kishës “që flet të gjitha gjuhët e takohet me të gjitha kulturat”. Roma është emri konkret i katolicitetit e misionaritetit.


(28.05.2007 RV)RealAudioMP3 Në festën e madhe të Rrëshajëve, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI vuri theksin mbi karakteristikat themelore të Kishës, që nisi solemnisht pikërisht me zbritjen e Shpirtit Shenjt. Benedikti XVI nënvizoi se Roma është emri konkret i katolicitetit e i misionaritetit dhe ripohoi se Kisha flet të gjitha gjuhët e takohet me të gjitha kulturat.
Kisha pra, nisi me ngjarjen e madhe e të jashtëzakonshme të Rrëshajëve – këtë nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili në vijim kujtoi se 50-ditë pas Pashkëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi bashkësinë e nxënësve të Krishtit, që ishin mbledhur në lutje, një zemre e një zëri me Marinë, Nënën e Jezusit e me Dymbëdhjetë Apostujt. Pikërisht në këtë fragment të Shën Lukës, shkëputur nga Veprat e Apostujve - tha Papa – mund të gjejmë tiparet themelore që cilësojnë Kishën:
“Kisha është një, si bashkësia e Rrëshajëve, e mbledhur në një lutje të vetme, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm. Kisha është shenjte, e jo për meritë të vet, por sepse, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, i mba sytë të ngulur tek Krishti, për t’u bërë një me Të e me dashurinë e Tij. Kisha është katolike, sepse Ungjilli u përket mbarë popujve e prandaj, që në fillim, Shpirti Shenjt bën që ajo të flasë të gjitha gjuhët. Kisha është apostolike, sepse, e ngritur mbi themelin e Apostujve, ruan besnikërisht mësimin e tyre përmes zinxhirit të pakëputur të trashëgimisë apostolike”.
Më pas Papa nënvizoi edhe se Rrëshajët e para arritën, kur Zoja e Bekuar ishte e pranishme në mes të dishepujve në Çenakull të Jeruzalemit e lutej. Edhe sot – tha Ati i Shenjtë – po ia besojmë vetveten ndërmjetësisë së saj amtare, që Shpirti Shenjt të zbresë begatisht mbi Kishën e kohës sonë, t’i mbushë plot zemrat e të gjithë besimtarëve e të ndezë ndër to, flakën e dashurisë së tij.
Pas Mbretërshës Qiellore, duke përshëndetur shtegtarët në gjuhën franceze, Papa uroi që Shpirti i Rrëshajëve të frymëzojë veprimtarë të ri të paqes. Në polonisht përshëndeti anëtarët e Familjeve Nazaretane. Pastaj, në gjermanisht, falënderoi bandat muzikore gjermane e austriake që morën pjesë në paradën kushtuar Atit të Shenjtë me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes. Së fundi, në italisht, një mendim i posaçëm për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda:
 “Në këtë ditë, të cilën autoritetet italiane ia kushtuan në mënyrë të veçantë lehtësimit të vuajtjes të të sëmurëve rëndë, siguroj se lutem për të sëmurët e për ata që u shërbejnë, duke u dhënë mjekimet e përshtatshme, por edhe shpresë e përkrahje. Të gjithëve u uroj të diele të gëzuar, të ndriçuar nga Shpirti Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.