2007-05-26 17:11:06

Sot u kremtua solemniteti i Rrëshajëve.


(27.05.2007 RV)Sot, në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi solemnitetin e Rrëshajëve, që u kremtua përsëri, në një botë dramatikisht të tronditur nga varfëria, padrejtësitë, luftërat, Sida, ndotja e mjedisit, terrorizmi e tensionet e brëndshme, që mbjellin lot e dëshprim në një mori vendesh të Planetit. Në një atmosferë të tillë të trishtuar, të gjithë besimtarët e krishterë janë të thirrur t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të luten e të bëjnë gjeste konkrete paqeje e mirësie. Vetëm të bashkuar me njëri-tjetrin, në saje të veprës së heshtur e të vijueshme të Shpirtit Shenjt, do të mund t’i sjellim botës ditë më të bukura.Të gjithë, pavarësisht nga seksi, raca, mosha apo kushtet shoqërore, jemi të thirrur ta ndihmojmë të afërmin, duke dëshmuar kështu fuqinë që ka Shpirti Shenjt për të endur hirin dhe dashurinë e Zotit për të gjithë njerëzimin. Secili prej nesh është i thirrur ta mësojë artin endjes së dashurisë e të mëshirës hyjnore, art që merr një kuptim të posaçëm në solemnitetin e sotëm të Rrëshajëve. Natyra njerëzore është nën kërcënimin e lakmive të shfrenuara, të egoizmit pa cak, të dëshprimit pa ngushëllim. Por Jezusi vijon t’i premtojë njerëzimit të tronditur e të mbuluar me plagë, se ardhja e Shpirtit Shenjt do të na bashkojë njëri me tjetrin e do të na bëjë të aftë ta dëshmojmë me jetën tonë, dashurinë e paqen e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.