2007-05-26 17:12:36

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(27.05.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Rrëshajëve. U përkujtua edhe Shën Agostini, kryeipeshkëv i Kanterbërit
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Gjermanit, ipeshkëv i Parisit dhe e Shën Vilit. Rifillon koha e zakonshme e vitit kishtar, përmes së cilës Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë.
Liturgjia e së martes na fton të lutemi: “Na e mëso, o Zot, rrugën e jetës”. Është festa e Shën Ursula Ledohovskajas, themeluese e Orsolineve të Krishtit në agoni, që na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit.
Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. Logjika e Kryqit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit. Këtë na kujtojnë Shën Ferdinandi, mbret i Kastiljes e Shën Zhanë d’Ark, virgjër, që do të përkujtohen të mërkurën.
Liturgjia e së enjtes na kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Magnificat’, kënga e cila madhëron të Gjithëpushtetshmin për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.
Festa e Shën Justinit, filozof e martir, që Kisha do ta festojë të premten, na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet. Edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi t’i hapim mend e zemër, për t’i bërë vend fjalës që shëlbon. Këtë na kujton festa e Shën Marçelinit meshtar, e Shën Pjetrit ekzorçist e martir dhe e shën Eugjenit, papë, që do të kremtohet të shtunën.







All the contents on this site are copyrighted ©.