(25.05.07 RV)Serbia nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj kundër çdo
lloj perspektive për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Deklaratat u bënë dje si nga
kryeministri konservator, Vojisllav Koshtunica ashtu edhe nga liberali “euroentuziast”,
ministri i ri i jashtëm, Vuk Jeremiç. Koshtunica përsëriti se “nuk ekziston ndonjë
treg mbi Kosovën” dhe se humbja e saj nuk do të kompensohej as nga integrimi i Serbisë
në Bashkimin Evropian. Jeremiç denoncoi se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte,
sipas tij, rasti i parë i ndarjes së territorit të një shteti sovran në historinë
moderne, pa konsensusin e qeverisë demokratike të interesuar.
Po në këtë
ditë, Italia shprehet qartë për pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministri
i saj, Masimo D’Alema deklaroi dje në një konferencë në Bari se së shpejti Kosovës
do t’i njihet statusi i pavarësisë dhe se Serbia duhet ta pranojë këtë realitet. D’Alema
foli para politikanëve italianë dhe një pjese të mirë të ministrave të Shqipërisë,
me në krye kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli, të mbledhur për një seminar
organizuar nga Rajoni i Puljes, me temë: “Investimet dhe ligjshmëria në Shqipëri”.
Duke pranuar planin e Ahtisarit, Serbia s’do të bënte tjetër, veçse do të njihte përpjekjen
e Bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë një zgjidhje të përshtatshme situatës në
zonë. Serbia do të mbetet një vend i rëndësishëm në Ballkan, vazhdoi D’Alema, dhe
Italia do të bëjë ç’është e mundur të rifillojnë negociatat për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit
ndërmjet Beogradit dhe Brukselit. Më 30 maj, në Postdam do të mblidhen ministrat
e jashtëm të G-8. Do të jetë rasti për të folur më qartë mbi planin mbi Kosovën e
për të përballuar problemet me Rusinë përsa i përket statusit të saj.