2007-05-24 17:04:43

Benedikti XVI, në takimin me ipeshkvijtë italianë, foli për rolin bashkues të fesë, për familjen, thirrjet meshtarake, luftën kundër varfërisë dhe dialogun ndërfetar.


(24.05.2007 RV)RealAudioMP3 “Një forcë e gjallë, e rrënjosur në shoqëri, e impenjuar për të promovuar vlerat themelore, duke u nisur nga familja e nga mbështetja e të varfërve”: Kështu i përshkroi sot Benedikti XVI karakteristikat e Kishës italiane, duke pritur në audiencë në Vatikan, prelatët e Konferencës Episkopale të Italisë, me rastin e Asamblesë së 57-të përgjithshme. Në fillim Papa falënderoi kardinalin Kamilo Ruini dhe kryeipeshkvin Angjelo Banjasko, i cili e zëvendësoi në detyrën e kryetarit të episkopatit italian në marsin e kaluar.
Më pas Papa theksoi:“Feja katolike dhe prania e Kishës mbeten faktor i madh bashkues i këtij Kombi të dashur si dhe rezervuar energjish morale për ardhmërinë e tij”.
Pastaj duke vërejtur se edhe në Itali ndjehet fuqimisht pesha e një kulture të prekur nga relativizmi moral, Benedikti XVI kërkoi nga ipeshkvijtë fuqizimin e edukimit të krishterë, përmes një katekizmi më të pasur në përmbajtje dhe venien e Zotit në qendër të jetës së bashkësisë. Theksoi edhe rëndësinë e kujdesit për thirrjet e reja meshtarake e për familjet, duke u kujtuar prelatëve përgjegjësitë që kanë jo vetëm para Kishës, por edhe para mbarë Kombit. Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë për suksesin e ‘Ditës kushtuar familjes’ që u kremtua si një festë e madhe popullore, gjë që kontribuoi për ta bërë të dukshëm rolin e kuptimin e familjes, në një shoqëri që gënjen veten se favorizon lumturinë e njerëzve, duke ngulur këmbë në mënyrë të njëanshme tek liria e individit.Në vijim Papa i porositi ipeshkvijtë të tregohen të vëmendshëm në shërbimin e përditshëm ndaj të varfërve, në një kohë që vuan nga varfëri të vjetra e të reja, të dukshme të fshehura. Pastaj, duke kujtuar Kongresin e Veronës, i porositi ipeshkvijtë t’ua kumtojnë Krishtin jo vetëm italianëve, por edhe bijve të popujve të tjerë, që vijnë të jetojnë e të punojnë në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.