(23.05.2007 RV)Gjoni lindi më më 22 shkurt 1698 në Voltagjio të Gjenovës,
prej nga u largua që në moshën 13 vjeçare, për të shkuar në Romë, ku një xhaxha i
tij ishte meshtar e kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kosmedin. Në Romë ndoqi liceun
e jezuitëve pranë Kolegjit Romak, ku edhe vendosi të bëhej meshtar. Në këtë periudhë
u godit për herë të parë nga epilepsia, sëmundje që nuk iu nda gjithë jetën. U shugurua
meshtar më 8 mars 1721 e që atëherë iu kushtua me zell të jashtzakonshëm apostullimit
ndërmjet studentëve të varfër e njerëzve të braktisur, të cilin e kishte nisur që
kur ishte nxënës. Nga ky apostullim lindi ‘Bashkimi i përshpirtshëm i priftërinjve
shekullarë të Shën Galës’, sipas emrit të strehës mashkullore drejtuar prej tij. Pas
kësaj Gjoni u përpoq të hapte edhe një strehë tjetër femërore. Ia arriti qellimit.
Streha e re u quajt me emërin e Shën Luigj Gonzagës, për të cilin kishte devocion
të veçantë. Nuk kishte lindur për t’u bërë prijës. I mjaftonte të bindej e të
punonte me të gjitha forcat, pa u ankuar asnjëherë, pa komanduar kurrë, pa e shkarkuar
barrën e punës së vet mbi kurrizin e të tjerëve.I zgjedhur kanonik i Kishës së Shën
Marisë në Kozmedin, u shkarkua nga detyra e drejtuesit të korit, për t’iu kushtuar
më lirisht misionit të tij apostolik. Në muajt e fundit të jetës sëmundja e epilepsisë
iu rëndua aq, sa u bë për të Kalvar i vërtetë. E ai iu ngjit kalvarit të jetës së
vet, duke patur gjithnjë parasysh të Kryqëzuarin. Vdiq më 23 maj 1764. U shpall Shenjt
nga Leoni XIII më 8 dhjetor 1881.