Dritë-hijet e ungjillëzimit latinoamerikan në audiencën e përgjithshme, që Benedikti
XVI ia kushtoi shtegtimit apostolik në Brazil.
(23.05.2007 RV)Ishte një udhëtim
që u zhvillua ndërmjet dritës e hijeve shoqërore e fetare të Brazilit e të Amerikës
Latine, për të përforcuar në çdo nivel Kishën e këtij Kontinenti me frymën e dashurisë
së Hyjit, e vetmja frymë që mund të sjellë risimin shpirtëror e shoqëror. Kujtimit
të këtij shtegtimi apostolik, Benedikti XVI ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme
në Sheshin e Shën Pjetrit, ku e pritën me entuziazëm të jashtzakonshëm 50 mijë shtegtarë. Papa
u foli për një udhëtim, gjatë të cilit pati rastin të njihte nga afër historinë e
Kishës e të vendit, përshpirtërinë popullore e artin. Pranë e pranë vlerave të krishtera,
me rrënjë të ngulura thellë në të kaluarën e lumnueshme të fesë, Papa preku edhe problemet
e mëdha shoqërore e ekonomike, që shqetësojnë Kontinentin. Benedikti XVI përshkroi
gjërësisht shtegtimin e tij të parë në Amerikën Latine, duke u ndaluar edhe në hollësira
për secilën etapë të tij. E quajti udhëtim ndërmjet mrekullive që ka bërë Zoti për
popullsitë që jetojnë nga Karaibet deri në Tokën e Zjarrit, shtegtim në fe, që përfundoi
tek këmbët e Virgjërës së Aparesidës. Sigurisht –pohoi që në fillim Ati i Shenjtë,
duke i folur turmës në Sheshin e Shën Pjetrit – kujtimi i së kaluarës së lavdishme,
nuk mund të fshehë hijet që e shoqërojnë veprimtarinë e ungjillëzimit të Kontinentit
latinoamerikan. “Nuk është e mundur të harrohen vuajtjet e padrejtësitë që kolonizatorët
i shkaktuan popullsive vendase, të cilave shpesh iu shkelën të drejtat njerëzore më
fillestare. Por detyra për t’i kujtuar këto krime të papërligjshme – krime të dënuara
që asokohe nga misionarë si Bartolomeo de Las Kasas e nga teologë si Françesko da
Vitoria i Universitetit të Salamankës - nuk duhet të na pengojnë për ta shikuar plot
mirënjohje veprën e mrekullueshme të kryer nga hiri hyjnor ndërmjet këtyre popullsive
në rrjedhë shekujsh”. Duke u kthyer në të sotmen, Benedikti XVI ripohoi se
Ungjilli, që për pesë shekuj me radhë u bë element bazë në Amerikën Latine, është
po ai që duhet kumtuar në epokën e globalizimit. Identiteti katolik – shpjegoi Ati
i Shenjtë – paraqitet edhe sot e kësaj dite si përgjigja më e përshtatshme, me kusht
që të gjallërohet nga formimi serioz shpirtëror e nga parimet e Doktrinës shoqërore
të Kishës. Këtë koncept Papa e saktësoi në çastin kur po kujtonte takimin e tij festiv
me të rinjtë e Sao Paolos: “Edhe sot Kisha bën të njëjtën gjë: para së gjithash
propozon Urdhërimet, rrugë e vërtetë që edukon njerëz të lirë në shërbim të së mirës
personale e shoqërore; e, mbi të gjitha, propozon urdhërimin e parë, atë të dashurisë,
sepse pa dashuri as urdhërimet nuk mund t’i japin kuptim jetës e të sigurojnë lumturinë
e vërtetë”. Kjo lumturi bëhet një me të mirën e përbashkët, kur vlerat e krishtera
shkrihen në indin e një kulture. E kultura e krishterë e Brazilit – theksoi me forcë
Papa – mund të jetë një model i ri zhvillimi për botën, sepse mund të sjellë pajtimin
ndërmjet njerëzve e gjithësisë. Shembulli më prekës që solli Benedikti XVI ishte
ai, i cili i mbeti në kujtesë nga vizita në një nga bashkësitë e rrjetit të “Familjeve
të Shpresës: “Në atë (bashkësi) që vizitova, mbresa më e thellë,
kujtimi i së cilës mbeti i gjallë në zemrën time, është prania domethënëse e një kuvendi
motrash klarise. Kjo m’u duk simbolike për botën e sotme, që ka nevojë për risim jo
vetëm psikologjik e shoqëror, por më thellë akoma, për përtëritje shpirtërore”. Një
brazilian që e mishëroi këtë orientim, qe françeskani i shekullit të 18-të, Fra Antoni
i Shën Anës Galvao, i shpallur Shenjt nga Papa më 11 majin e kaluar. Dëshmia e tij
– pohoi Ati i Shenjtë – tregon rishtas se shenjtëria është revolucioni i njëmendtë,
që mund të sigurojë reformimin e vërtetë Kishës e të shoqërisë. Prej këndej Papa i
ftoi laikët e krishterë të jenë protagonistë në këtë risimin, të kryesuar nga ipeshkvijtë
e tyre, të cilët janë të thirrur ta ruajnë fenë ashtu si na e lanë trashëgim apostujt.
E, duke kujtuar hapjen e Konferencës ipeshkvnore të Aparesidës, Benedikti XVI theksoi
atë pati thënë edhe Gjon Pali II në Haiti, gjatë Asmablesë së CELAM-it në vitin 1983:
“Të promovohet ungjillëzimi: i ri në zell, në metoda e në shperehje”. “Me shtegtimin
tim apostolik, desha të nxis për vijimin e ecjes në këtë rrugë, duke ofruar si perspektivë
unifikuese, atë të enciklikës ‘Deus caritas est’, perspektivë e pandarshme teologjike
e shoqërore, e cila mund të përmblidhet në këtë shprehje: është dashuria ajo që jep
jetën”. Pas përmbledhjes së katekizmit në nëntë gjuhë, Benedikti XVI përfundoi
me përshëndetjet drejtuar grupeve të shumta të pranishme, ndërmjet të cilave, pjesëmarrësit
e Kongresit III botëror të mediave bullgare, që u mbajt këto ditë në Romë: “Miq të
dashur – u tha Papa – uroj që shërbimi juaj në komunikimet shoqërore të kontribuojë
që trashëgimia kulturore e shpirtërore e Bullgarisë të njihet e të vlerësohet më shumë
në Evropë”.