2007-05-22 18:51:40

Zgjati pak armëpushimi në Liban e lajme të tjera


(22.05.07 RV)Zgjati më pak se një orë armëpushimi i shpallur sot nga grupi islamik Fatah al-Islam në Liban, i cili duhej të lejonte transferimin e të plagosurve nga kampi i refugjatëve palestinezë Nahr al-Bared. Vetëm 40 minuta edhe për të çuar ndihmat humanitare për 30 mijë refugjatët. Luftimet ndërmjet grupit dhe ushtrisë libaneze filluan kur shumë civilë ishin akoma të mbledhur përreth karvanit të Kombeve të Bashkuara. Ushtria libaneze nuk ka qëlluar kundër kampit. Gjatë luftimeve që zgjasin prej tri ditësh, janë vrarë 77 vetë. Nga ana tjetër, lëvizja islamike palestineze Fatah ka kërcënuar se do të ketë revolta në të gjitha kampet palestineze në Liban.


Sot, përfaqësuesi i lartë evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Havier Solana ndodhej në Jeruzalem, etapa e parë e turneut të tij në Lindjen e Mesme, që do ta çojë edhe në Liban, Egjipt dhe në Territoret Palestineze. Të ndalojë menjëherë dhuna në të gjithë Lindjen e Mesme – kërkoi sot Solana – pasi e vetmja zgjidhje për paqen është dialogu politik. Nga Bejruti, ku shkoi më pas, Solana i dha mbështetjen e vet kryeministrit libanez, Fuad Siniora.


Një lajm i mirë nga Iraku. U lirua meshtari kalde, at Navatz Hana, i cili mundi të përqafojë sivëllezërit e tij mbrëmë vonë. Por në terren vazhdon dhuna. Shpërthimi i një bombe në tregun e Bagdadit ka shkaktuar vdekjen e 25 personave, shumë prej të cilave gra e fëmijë. Ndërkaq, presidenti amerikan Bush ka deklaruar se muaji shtator do të jetë një muaj i rëndësishëm për të vlerësuar përparimet që janë bërë në Irak.


Liderët fetarë të SHBA-ve i kanë bërë thirrje presidentit Bush që të marrë masa konkrete kundër ngrohjes globale, të cilën e quajnë "çështje morale dhe shpirtërore". Në letrën e publikuar sot, më shumë se 20 udhëheqës fetarë i kërkojnë Bushit të bëjë më shumë për të kufizuar emisionin e gazrave që ndotin ambientin dhe të investojë në burimet alternative energjitike.
Letra botohet në momentin kur shkencëtarët amerikanë kanë vënë në dukje se emisioni i gazrave të dëmshme në atmosferë është rritur 3 herë në krahasim me vitet ‘90.







All the contents on this site are copyrighted ©.