2007-05-21 17:46:27

Në emër të Zotit, Benedikti XVI kërkon paqe për Lindjen e Mesme e, në Ditën botërore të komunikimeve shoqërore, i bën thirrje industrisë së mediave t’i mbrojë fëmijët.


(21.05.2007 RV)Dje, në kremtimin e Mbretëreshës Qiellore, Papa u lut përsëri për paqen në Tokën Shenjte. Duke pasur parasysh se dje kremtohej Dita e 41-të botërore e komunikimeve shoqërore, i drejtoi një thirrje të fuqishme industrisë së mjeteve të komunikimit për mbrojtjen e së mirës së përbashkët. Së fundi kujtoi edhe shtegtimin e tij apostolik në Brazil si dhe ngjarjet e rëndësishme kishtare të këtij shtegtimi.
“Ndeshjet ndërmjet grupeve palestineze në Rripin e Gazës dhe flakja e raketave kundër banorëve të qyteteve fqinje izraelite, të cilave Izraeli iu përgjigj me armë, po e keqësojnë më tej situatën e përgjakshme, tronditëse” – kështu e komentoi Benedikti XVI zhvillimin tragjik të ngjarjeve luftarake në Lindjen e Mesme:
“Edhe një herë, në emër të Zotit, lutem t’i jepet fund kësaj dhune tragjike, ndërsa popullsive të vuajtura palestineze e izraelite dëshëroj t’u shpreh afërsinë time solidare e t’i siguroj se i kujtoj në lutje. U bëj thirrje të gjitha autoriteteve palestinese që, duke e ndjerë thellë përgjegjësinë e tyre, të rifillojnë dialogun dhe të ecin me vendosmëri në rrugën e mirëkuptimit, duke neutralizuar përkrahësit e dhunës. E ftoj qeverinë izraelite të jetë e matur dhe nxis bashkësinë ndërkombëtare të shumfishojë përpjekjet në favor të rifillimit të bisedimeve. Zoti i nxitët e i ndihomoftë veprimtarët e paqes”.
Më pas mendimi i Papës shkoi tek fëmijët, që ishin në qendër të vemendjes në Ditën botërore të komunikimeve shoqërore, kushtuar temës: “Fëmijët dhe mjetet e komunikimit: sfidë për edukimin”. Mjetet e komunikimit – nënvizoi Ati i Shenjtë – konkurojnë shkollën, Kishën, e madje edhe familjen. Prandaj është themelore që fëmijët – këshilloi Benedikti XVI – të përgatiten në mënyrë të përshtatshme për përdorimin korrekt të mediave.
“Prindërit, mësuesit dha bashkësia kishtare duhet të bashkëpunojnë për t’i edukuar fëmijët e të rinjtë, që të dinë të zgjedhin e të mbajnë qëndrim të pjekur kritik, duke u kultivuar shijen për të pranuar atë që është estetikisht e moralisht e vlefshme”.
Por edhe mediat – tha me qortim Papa - duhet të japin kontributin e tyre për të mbrojtur dinjitetin themelor të njeriut, vlerën e vërtetë të martesës dhe të jetës familjare, arritjet më pozitive të qytetërimit.
“Programet që mburrin dhunën e sjelljet anti-shoqërore ose vulgarizojnë seksualitetin njerëzor, janë të papranueshme, aq më tepër kur u propozohen të miturve”
Këtë Papa e theksoi me forcë e më pas i nxiti të gjithë ata që vendosin të punojnë në mjetet e komunikimit.
“U përsëris drejtuesve të industrisë së mediave dhe punonjësve të komunikimit shoqëror thirrjen t’i formojnë e t’i inkurajojnë prodhuesit për të mbrojtur të mirën e përbashkët, të vërtetën, dinjitetin njerëzor dhe për të respektuar nevojat e familjes”.
Papa kujtoi edhe shtegtimin e tij në Brazil dhe e falënderoi përsëri Zotin për ngjarjet e mëdha kishtare të këtij udhëtimi: shenjtërimin e të Lumit të parë brazilian, Vëlla Antonit të Shën Anës Galvao dhe hapjen e Konferencës së përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik, që vijon në Aparesida, për të cilën Papa u kërkoi besimtarëve të mos e ndërpresin lutjen.
Së fundi Benedikti XVI kujtoi festën e të Shëlbuemit, që u kremtua të enjten e kaluar, por në shumë vende, u shty për dje - dhe iu lut Virgjërës Mari të nxjerrë për mbarë Kishën hirin e Rrëshajve të reja. Ndërmjet mijëra besimtarëve, në Sheshin e Shën Pjetrit ishte edhe kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Angjelo Banjasko, i cili shoqëronte më se njëmijë fëmijë që do të krezmohen në dioqezën e tij të Gjenovës e, me këtë grup – siç e kujtoi vetë Papa – ishte edhe kardinali Tarçizio Bertone, ish-kryeipeshkëv i qytetit italian.







All the contents on this site are copyrighted ©.