2007-05-21 19:12:08

Ende te largeta perspektivat per rivendosjen e paqes ne Irak. Te krishteret persekutohen e detyrohen te braktisin Vendin.


(21.5.07 RV)Shtatë vetë janë vrarë në Irak, në provincën e Dijalës, ndërsa po udhëtonin me një minibus. Në Bagdad vazhdon ndërkaq, gjetja e trupave pa jetë. Gjatë orëve të fundit janë gjetur 24 trupa me shenja të qarta torturash. Në këtë skenar, gjendja e të krishterëve është veçanërisht dramatike. Të shtunën është rrëmbyer at Navzat Hana, famullitar kalde i zonës së Baladijatit, gjithnjë në Bagdad. Ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni ka deklaruar për agjensinë katolike italiane Sir se ka folur mbrëmë me at Hanën. Pra, meshtari është gjallë e rrëmbyesit kanë kërkuar një shumë të madhe për ta liruar. Por kriza është e përgjithshme. Të dëgjojmë prokuratorin apostolik të Kaldejve, at Filip Nazhim:
Ekziston një persekutim kundër të gjithë të krishterëve që jetojnë në Irak e që detyrohen kështu të bëhen emigrantë me zor. Janë me qindra familje të krishtera që ikin nga zona të ndryshme të Bagdadit. Kishat kanë hapur dyert e po ashtu edhe shkollat, që këto familje të gjejnë vend për t’u strehuar e pak mbështetje. Gjendja është shumë e vështirë. Është një gjendje vuajtjeje, martirizimi e dëshmie të fesë sonë të krisherë: kjo është toka jonë, këtu kemi lindur, këtu jemi rritur e këtu do të vdesim.
Përveç lajmit për rrëmbimin e meshtarit kalde, një tjetër lajm alarmues është se të krishterët janë të detyruar të paguajnë ose të ikin për të mbetur të krishterë…
Po, në fakt po i detyrojnë të kthehen në myslimanë. Nëse nuk duan të bëhen myslimanë duhet të paguajnë një shumë parash çdo muaj. Këta janë grupe integralistësh, që kanë zbatuar këtë normë për të krishterët e të krishterët detyrohen ta lenë zonën e të emigrojnë diku tjetër. Kjo është gjendja aktuale e të krishterëve tanë në Irak.







All the contents on this site are copyrighted ©.