2007-05-18 17:48:45

Kosova, dosja e parë e Kushnerit - Asgjë e re nga takimi BE-Rusi


(18.05.07 RV)Një qeveri më e zhdërvjellët, me 15 ministra në vend të 30-tëve të ekzekutivit të mëparshëm Vilpë, e përbërë nga 7 gra dhe 8 burra. Kjo është qeveria e re franceze e kryeministrit Fransua Fijon, mbledhur sot pasdite për herë të parë në Këshillin e Ministrave. Ministër i jashtëm, ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë, në vitet 1999-2001, Bernard Kushner, i cili ka tashmë mbi tavolinë dosjet më urgjente që do të diskutohen edhe në mbledhjen e Bashkimit Evropian në qershor. Fjala është për të ardhmen e Kosovës, krizën bërthamore iraniane dhe gjendjen në Darfur.
Ndërkaq, lideri socialist francez Fransua Holland e ka përjashtuar themeluesin e “Mjekëve pa kufi” nga partia, pasi merr pjesë në një qeveri të djathtë. Fjalë të hidhura edhe për mikun e 30 vjetëve, Zhan Pierr Zhuì, emëruar sekretar i Shtetit për punët evropiane. Zhuì nuk është anëtar i partisë socialiste, por konsiderohet simpatizant, pavarësisht se ka filluar të bashkëpunojë me presidentin aktual Nikolas Sarkozì që nga viti 2004.

Asgjë e re nga Samara ku u zhvillua takimi Bashkim Evropian-Rusi. Problemet që e kanë ngritur tensionin ndërmjet Brukselit e Moskës mbeten të pazgjidhura. Nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje, për shkak të vetos së Polonisë, kundër së cilës Rusia ka vendosur embargon e eksportimit të mishit, me akuzën se kontrollet e cilësisë nuk janë në nivelin e duhur. Liderët evropianë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Komisionit Evropian, Barroso theksuan se për Brukselin janë të rëndësishme çështje si mbrojtja e të drejtave të njeriut, qëndrimi rus ndaj Letonisë dhe Estonisë si edhe ndaj Kosovës, por ndryshimet në pikëpamje mbetën. Qeveria e presidentit rus Putin ndaloi rrugës liderët e opozitës, të cilët ishin nisur për të marrë pjesë në një manifestim proteste në Samara. Mes tyre, edhe kampioni botëror i shahut, Kasparov.







All the contents on this site are copyrighted ©.