2007-05-17 16:41:49

Bashkim historik i Kishës ortodokse ruse jashtë vendit me Patriarkanën e Moskës.


(17.05.2007 RV)Kisha ortodokse ruse jashtë vendit dhe Patriarkana e Moskës u bashkuan sot paradite, pas një shkëputjeje që zgjati 80 vjet. Në kremtimin historik, që u mbajt në katedralen e Krishtit Shëlbues të kryeqytetit rus, mori pjesë edhe presidenti Putin, i cili në vitin 2003 i pati dorëzuar kreut të Kishës ortodokse, metropolitit Laurus, mërgimtar në SHBA, ftesën e Patrikut Aleksej II për të vizituar Moskën.
Por, për këtë ribashkim historik, të dëgjojmë, në mikrofonin e radios sonë, kryeipeshkvin e Katedrales katolike moskovite, kushtuar Nënës së Zotit, imzot Tadeush Kondrusheviç:
“Ky (bashkim) është shumë, shumë i rëndësishëm, sepse çdo bashkim nxitet nga vetë Jezusi e edhe sepse Ai vetë kërkon që të gjithë të jenë të bashkuar, ndonëse në këtë rast bëhet fjalë për ortodoksët. Së dyti, jam i sigurtë se zëri i Kishës ortodokse, që mbron rrënjët e krishtera, pas këtij akti do të jetë më i fortë edhe përballë sfidave të botës bashkëkohore. Gjëja e tretë e rëndësishme për Kishën ortodokse ruse është se sot shumë rusë jetojnë jashtë vendi e edhe ata kanë nevojë për kujdes baritor. Në këtë rast do të krijohen lehtësi të reja për këtë kujdes. Unë, si katolik, jam shumë i kënaqur, sepse më fund u bashkuan dy pjesë të Kishës ortodokse. Uroj që Kisha ortodokse ta shpallë gjithnjë më fuqishëm Ungjillin e Krishtit e t’i mbrojë me guxim vlerat dhe rrënjët e krishtera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.