2007-05-17 16:43:09

Atë Gjon Karma, jezuit shqiptar, mbushi sot 111 vjet


(17.05.2007 RV)Lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat e kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar një nga Kishat e tyre të reja.
U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhërin e Jezuitëve u pranua në Gorizia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhé, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zevendës-drejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935). Por kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shetitës të etërve jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave. Studiuesi mund t'i gjejë nën titullin "Lettere Edificanti", vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t'u studiuar. Në këtë vjetar gjinden shkrime të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare.
Atë Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t'i botonte në revistat e jezuitëve "Lajmëtari i Zemrës së Krishtit" dhe "LEKA" e më vonë i përmblodhi në veprën "Ndër malet tona", botuar më 1940. Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje. Nuk dihet me siguri as kur vdiq, as ku u varros. Çka dihet me siguri, është se vdiq si dëshmitar i fesë së Krishtit, duke kryer deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.