Rehn në Serbi: gati për rihapjen e negociatave por bashkëpunoni me Hagën
(16.05.07 RV)Vojisllav Koshtunica është sërish kryeministër i Serbisë, me një
qeveri që u votua mbrëmë në orën 23.30 nga parlamenti, gjysëm ore para skadimit të
afatit, që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja. Në fjalimin e Koshtunicës, para
deputetëve, shumë Evropë e bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, por asnjë lëshim përsa
i përket çështjes së Kosovës, e cila “do të jetë gjithmonë pjesë e patjetërsueshme
e Serbisë”, bubulloi kryeministri. “Çdo shpallje e njëanshme e pavarësisë do të vlejë
më pak se zero” i qetësoi ai serbët e Kosovës. Ndërkaq, në një intervistë për
Radion Eko të Moskës, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs deklaroi mbrëmë
se “Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë, është e pamundur”: ishin fjalët e saj.
Tani duhet parë se cili do ta fitojë këtë raund politik, Beogradi apo Uashingtoni.
Sot, ndodhet në Serbi, komisari evropian për zgjerimin Oli Rehn, i cili sqaroi
se Brukseli është gati të rifillojë bisedimet e ndërprera me Serbinë, me kusht që
kjo e fundit të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës.