2007-05-16 16:45:22

Motrat françeskane te Zojës së Papërlyer në Mal të Zi, zgjodhën eproren provinciale.


Motrat françeskane të Zojës së Papërlyer, në Mal të Zi, prej 7-12 maj 2007 mbajtën Kapitullin e rregullt Provincial, në Dobrotë të Kotorit në Mal të Zi.

Mbi këtë temë është bërë një përgatitje solide paraprake për këtë ngjarje e kremtim. Përgatitja me pjesëmarrje aktive të të gjitha motrave dhe vet Kapitulli ka qëllim të një përtrirjeje shpirtërore në Shpirtin e Shën Françeskut dhe të Themelueses Nënës Franciska Antonija Lampel, karizmën e të cilës e ndjekim tash gjithnjë e në mënyrë më intensive: në fusha të ndryshme të veprimtarisë, sidomos me edukim, katekizim, hapjen e shkollave e në fusha të tjera të apostolatit, aty ku Kisha ka nevojë për ne. Me këtë rast u ba nji rishqyrtim i gjithanshëm i jetës në bashkësi dhe mbi dërgimin e saj në jetën apostolike ku kjo bashkësi e dëshmon Jezu Krishtin dhe Mbretërinë Qiellore. Bashkësia lind nga Eukaristia, rritet në saje të fryteve të saj dhe ësht ë rezultat i dhurimit të sinqert. Kjo ka për të mundsuar Mishërimin e Fjalës së Zotit në jetën tonë.


E pranishme në këtë kapitull ishte gjeneralja e Kongregatës, Nana Brigitte Golles. Ajo i nxit motrat në punën e mëtejshme dhe u jipte zemër në qëndrimet që merrnin në përkim me vlerat Ungjillore dhe të Kushtetutës. Mes tjerash, ajo në porosinë e saj dhanë motrave të kësaj Province, ishte: "T`i përtrijmë virtytet e besnikërisë, duresës, çiltësisë, paqes, butësisë. Atë që kremtuem e punuem në këtë kapitull i shërben një gjëje të vetme: që dërgimin tonë, që e kemi pranuar prej Zotit të mund ta plotsojmë mirë, që vendimet tona dhe Statutet të na ndihmojnë që të jemi bashkësi e mirë dhe të rritemi në këtë drejtim. Kemi nji detyrë të madhe, të cilën duhet ta kryejmë së bashku. Është me rëndësi që në këtë drejtim çdo ditë ta thellojmë fenë tonë, që të përballemi denjësisht me sfidat e kohës. Kur dëgjojmë në Ungjill: ju jeni miqtë e mi, të kaplueme nga kjo porosi, ndjejmë gëzim sepse jemi të thirruna. Kemi nder të madhe: të jemi miqtë e Jezusit. Kësaj Province - tha ajo - i uroj për pasurinë e madhe të veprimtarisë së motrave. Zoti ju dhashtë fuqi dhe bekim."
Përveç punës intenzive në aspektin shpirtëror, në këtë Kapitull u zgjodh edhe udhëheqësia e re Provinciale, me mandat trevjeçar:


Motra Marjana Merdita, Eprore Provinciale.
Motra Maksimiliana Shuman, zëvendëse dhe këshilltare e saj.
Ndërsa kështilltare tjera janë: Motra Lidia Kqira, Motra Drita Kajtazi, Motra Mira Bashiq dhe Motra Marie Nua.


Biografia e Eprores Provinciale Moter Marjana Merdita:
Eprorja provinciale, ka lindur më 13 janar 1962, në Caparc famullia e Velezhës. Shkollën fillore e ka përfunduar në Velezhë. Në Kuvend ka hyr më 1976. Kushtet e para rregulltare i ka bërë në vitin 1982 ndërsa ato të përjetshmet më 1987.
Në Zagreb e ka kryer Institutin Katekistik. Si katekiste ka shërbyer: dy vjet në Bosnje dhe dy vjet në Kosovë (në Novosellë të Gjakovës).
Prej vjetit 1992 shërben në Shqipëri: në Shkodër, Kallmet dhe Lezhë. Atje shërbeu në detyrën e mësueses së kandidateve e më vonë të noviceve. Për 10 vjet ka drejtuar punën në kopshtin për fëmijë dhe shkollën 4 vjeçare në Kallmet, ka qenë e angazhuar në punën pastorale dhe të ndërtimtarisë, kurse në vitin e fundit ka drejtuar shkollën në Lezhë.
Urime për këtë Provincë dhe kryesinë e saj të re: Paqe e të mira!
don Roberti







All the contents on this site are copyrighted ©.