2007-05-16 16:46:04

Lajme nga bota


(16.05.07 RV)Bosnja paraqiti kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Kandidatura e Bosnjës erdhi në momentin e fundit, siç thuhet e nxitur nga vendet perëndimore, që të mos lejojnë anëtarësimin e Bjellorusisë, e cila vlerësohet nga Uashingtoni si diktatura e fundit në Evropë.


Ka arritur tashmë në 17 persona bilanci i viktimave në ndeshjet ndërmjet al Fatahut dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Përpjekja për ta ulur tensionin, përmes një armëpushimi të ri deklaruar gjatë natës nga kryeministri palestinez Hanijeh, qe e kotë. Ndeshjeve sporadike u shtohen ndërhyrje të qëllimshme. Persona të armatosur kanë sulmuar shtëpinë e kreut të sigurisë të Lëvizjes Fatah në Gazë, duke shkaktuar vdekjen e së paku gjashtë rojeve. Si përgjigje ndaj raketave të hedhura në disa zona hebraike, aviacioni izraelit ka bombarduar një pjesë të Rripit të Gazës. Që nga e diela, dita e fillimit të ndeshjeve, janë vrarë 44 vetë. Presidenca e Bashkimit Evropian ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për gjendjen.


Masakër e re në Irak. Një kamion bombë me klor shpërtheu në një fshat shiit në veri të Bagdadit. Sipas burimeve të policisë, bilanci i përkohshëm flet për 45 viktima. Ndërkaq, shtatë persona të tjerë janë vrarë në përleshjet ndërmjet militantëve të klerikut radikal Moktada al Sadr dhe forcave irakiane të sigurisë, në Nasirija. Pesë nga të vrarët janë civilë, ndërsa dy të tjerë janë ushtarë irakianë.


Majkëll Uiliams do të jetë kordinatori i veçantë i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Uiliams do të koordinojë të gjitha aktivitetet e Kombeve të Bashkuara në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ai ka punuar në ministrinë e jashtme britanike dhe ka përvojë në zona konflikti, përfshirë Kamboxhian dhe ish-Jugosllavinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.