2007-05-15 17:53:01

Akoma dhunë në Pakistan e lajme të tjera


(15.05.07 RV)Në qytetin e Peshauarit, jo larg kufirit me Afganistanin, janë vrarë 25 vetë nga shpërthimi i një bombe. Objektivi i atentatit ishte një hotel që ndodhet në një zonë tregtare të qendrës. Ndërkaq, në një sulm ajror në jug të Afganistanit, NATO-ja ka vrarë 60 talebanë. Ndër viktimat, bëjnë pjesë edhe tre krerë të rëndësishëm të provincës së Kandaharit.
Nga ana tjetër, mullah Dadullah, kreu i talebanëve që u vra të dielën, është zëvendësuar nga i vëllai Mohamad. Në një video të regjistruar 36 orë para vrasjes, Dadullah deklaron se ka stërvitur amerikanë dhe britanikë për sulme terroriste në SHBA dhe Evropë.
Të kthehemi në situatën në kufirin ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Cilat janë motivet e problemeve ndërmjet dy vendeve? Pyetëm drejtoreshën e revistës “Stringer Asia”, Françeska Marino:
RealAudioMP3 Presidenti Karzai akuzon Pakistanin se financon dhe mbështet talebanët. Ndër të tjera, ekziston edhe një raport i Ministrisë së jashtme britanike – një raport jo formal – në të cilin thuhet se ka shumë mundësi që Shërbimet sekrete pakistaneze të financojnë talebanët dhe kërkohet që të shpërndahen këto shërbime. Përveç kësaj, ndërmjet dy vendeve ka edhe një problem kufijsh, i cili tani është keqësuar, pasi kohët e fundit, presidenti Musharraf po forcon mbrojtjen, duke vendosur telat me gjemba në kufi e duke e kthyer kështu atë nga një kufi të përkohshëm në një kufi të përhershëm.
Afganistani ka denoncuar edhe kalimin e kufirit nga ana e trupave pakistaneze. Sipas jush, ekziston rreziku i destabilizimit për krejt rajonin?
Po, sigurisht. Megjithëse trupat pakistaneze e kalojnë kufirin prej vitesh e sidomos lejojnë që ta kalojnë atë talebanët. Sigurisht që rreziku ekziston, por ekziston që prej disa muajsh tashmë.

Ndeshje të reja ndërmjet milicive të al Fatahut dhe Hamasit në Rripin e Gazës, pas prishjes së armëpushimit të dielën e kaluar. 11 roje të presidentit Abu Mazen kanë humbur jetën në udhëkalimin e Karnit, ku ndërhynë forcat izraelite. Një komandant i milicive të Hamasit është vrarë sepse nuk ka ndaluar në një postobllok. Ndeshjet e kanë detyruar Ministrin e Brendshëm të japë dorëheqjen. Kriza shqetëson edhe Bashkimin Evropian. Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë, Havier Solana i ka kërkuar Ministrit të jashtëm palestinez të garantojë sigurinë e Rripit të Gazës, duke e përkufizuar situatën si “shumë të rëndë”. Solana shprehu vendimin e tij për të shkuar së shpejti në rajon dhe kërkoi të bëhet ç’është e mundur për lirimin e ushtarit izraelit Xhilad Shalit dhe të korrespondentit të BBC-së, Alan Xhonston, të dy të kapur nga milicët palestinezë. E njëjta thirrje është bërë edhe nga kreu i Shtetit egjiptian, Hosni Mubarak dhe nga ministrja e jashtme britanike, Margaret Beket.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Olmert, i cili ndodhet për vizitë në Jordani, është treguar i gatshëm të diskutojë me 22 vendet arabe, planin e paqes së propozuar nga sauditët.


Kalojmë në Filipine. Dhuna ka karakterizuar zgjedhjet për rinovimin e gjysmës së vendeve të Senatit dhe të krejt Dhomës së Deputetëve e të administratës lokale. Kanë humbur jetën 126 vetë. Prej tyre, 58 ishin politikanë.


Politikanët irakianë kanë filluar bisedime me liderët sunitë që nuk janë të lidhur me Al Kaidën. Në to ka marrë pjesë edhe kryeministri shiit Al Maliki, presidenti i kurdëve Talabani, ambasadori dhe zyrtarë të tjerë britanikë. Sipas deklaratës së sotme të Talabanit, i cili ndodhet në Londër për një vizitë zyrtare, bisedimet kanë qenë aq të frytshme, saqë shumë shpejt mund të arrihet në një marrëveshje pajtimi. Talabani kërkoi që forcat e koalicionit të qëndrojnë në Irak, së paku deri në fund të vitit të ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.