(14.05.2007 RV)Benedikti XVI u
kthye sot nga Brazili në Romë: avioni papnor (një Boeing 777 i All'Italias), preku
tokën e aeroportit të Çampinos në orën 12. 25. Prej këndej Papa u nis menjëherë drejt
selisë papnore të Kastelgandolfos, ku do të kalojë disa ditë, për t’u rikthyer në
Vatikan të premten e ardhshme. Prandaj këtë të merkurë nuk do të mbahet audienca e
zakonshme e përgjithshme. “I paharrueshëm”: kështu e quajti mbrëmë Benedikti XVI,
gjatë ceremoninë së lamtumirës në Aeroportin e Sao Paolos, shtegtimin e tij apostolik
në Brazil, që nisi më 9 majin e kaluar. Ishin ditë të jashtzakonshme, gjatë të cilave
kudo që shkeli, Ati i Shenjtë u rrethua nga dashuria e nga entuziazmi i vetvetishëm
i besimtarëve, gjë që e preku më shumë se çdo gjë tjetër. Kështu mund të themi
me plot gojën se shtegtimi apostolik i Benediktit XVI në Brazil përfundoi në atmosferën
e shpresës e të impenjmit të ri për të kumtuar Ungjillin. Duke u larguar nga Brazili,
Papa e siguroi popullin brazilian dhe amerikanolatin: Tende a certeza de que
levo a todos no meu coração, donde brota… “Të jeni të sigurtë se ju kam
të gjithëve në zemër”.Më pas falënderoi Zotin që i dha hirin të jetojë orë kaq
të ngarkuara me veprimtari e emocione, orë të paharrueshme. Prandaj shtoi: “Në kujtesën
time do të mbeten të pashlyera shprehjet e entuziazmit e të përshpirtërisë së thellë
të këtij populli”.