2007-05-13 18:17:30

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(13.05.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën VI të Pashkëve; përkujtoi edhe Zojën e Fatimës.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Matisë që, i dashur nga Ati qiellor, u bashkua me 12 Apostujt. Na kujton se nuk jemi ne që e zgjedhim Zotin, por është Ai që na fton të bëhemi misionarë të Fjalës së Tij.
Liturgjia e të martes na kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit e për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Është festa e Shën Sofisë, e Shën Torkuatit, ipeshkëv i Guadiksit dhe e Shën Isidorit, bujk.
Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjindet në Jezusin e në Atin qiellor, lumnia e të cilit shkëlqen në mbarë universin. Këtë na kujtojnë Shën Aleksandri, ipeshkëv e Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios, që do të përkujtohen të mërkurën.
Liturgjia e së enjtes na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: ‘Shëlbimi yt, o Zot, u përket të gjithë popujve!” Do të kremtohet, në këtë ditë, solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në gjuhën shqipe njihet me emrin ‘Të Shëlbuemit’. Është edhe festa e Shën Vitorit martir dhe e Shën Pashk Bajlonit, laik françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.
Të premten, në festën e Shën Gjonit I, papë e martir, liturgjia na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurtë në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljesJezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji. Tani e dimë se duke e lutur Atin në emër të Birit, fitojmë gjithçka është e nevojshme për shëlbimin tonë. Këtë na kujton festa e Shën Pjetër Çelestinit, papë, e Shën Urbanit I papë, e Shenjtorëve Parteni e Kallugjeri, martirë, e Shën Ivos meshtar dhe e Shën Krispinit nga Viterbo, rregulltar kapuçin, që do të përkujtohen të shtunën.







All the contents on this site are copyrighted ©.