2007-05-13 18:15:55

Në Fatima u kremtua dhjetëvjetori i dukjes së parë të Zojës së Bekuar, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano.


(13.05.2007 RV)RealAudioMP3 Fatima në festë! Sot në njërën nga qendrat më të mëdha të përshpirtërisë mariane botërore u kremtua 90-vjetori i dukjes së parë të Virgjërës Mari para tre barinjve të vegjël: Luçisë, Gjaçintës e Françeskut. Më se një gjysëm milion shtegtarë ishin të pranishëm në Shenjtëroren portugeze, për të marrë pjesë në kremtimet përkujtimore, kryesuar nga i dërguari i Benediktit XVI, kardinali Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor. Gjatë Jubileut të 2000-it – në përfundim të liturgjisë së lumnimit të Gjaçintës e Françeskut, kryesuar në Shenjtërore nga Gjon Pali II, qe vetë kardinali Sodano, asokohe sekretar i Shetit të Vatikanit, ai që, me dëshirën e Papës, zbuloi ‘pjesën e tretë’ të të fshehtës së Fatimës. Por, si jetohet, 90 vjet më pas, mesazhi i dukjeve të Zojës së Bekuar? Na e shpjegon vetë kardinali Sodano në mikrofonin e radios sonë:
Përgjigje: -Është mesazhi i pëhershëm, dmth mesazhi i Ungjillit. Jezusi, në fillim të jetës së tij publike, siç e lexojmë në Ungjillin e Shën Markut, pati thënë “Pendohuni e besoni në Ungjill!”. E kjo është edhe thirrja që Nëna e Krishtit ua besoi tre barinjve të vegjël: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës, në dukjet e saj 90 vjet më parë. Siç dihet, për herë të parë Zoja u duk më 13 maj 1917. U duk pastaj edhe pesë herë të tjera, deri më 13 tetor të këtij viti, vit tragjik gjatë të cilit Evropa mbytej në gjakun e Luftës I Botërore. Mesazhi i parë i Virgjërës Mari ishte ftesa për lutje e pendesë, për shpëtimin tokësor e qiellor të bijve të saj.
Pyetje: - Ç’ mesazh i transmetuat turmës së besimtarëve, që u mblodh sot në Fatima?Përgjigje: - Shtegtarëve të Fatimës, si legat, i përcolla bekimin e Atit të Shenjtë Benediktit XVI, që deshi të ishte i pranishëm në kremtime përmes meje. Sot, siç e dimë, Papa është në Brazil, në një Shenjtërore tjetër të madhe mariane, në atë të Zojës së Aparesidës; e kështu mund të themi se një hark uratësh u lartua ndërmjet dy brigjeve të Atlantikut, për t’i kënduar lavdi Marisë. E ky është edhe misioni amëtar i Marisë në Kishë, misioni për t’i thirrur të gjithë bijtë e saj që të mblidhen rreth Krishtit, Shëlbuesit tonë të vetëm. Maria na fton edhe të ecim pas barinjve, që Provania hyjnore ia dhuroi Kishës së vet Shenjte. Ju ftoj, në mënyrë të veçantë, të luteni për Evropën, që të mos i harrojë rrënjët e veta të krishtera. Papa nganjëherë përdor këtë shprehje: “Duket se Evropa dëshiron t’i thotë lamtumirë historisë së vet me një largim të ngadalshëm nga feja e saj”. Të lutemi, prandaj, e të lutemi shumë – duke pasur parasysh edhe se shumica e shtegtarëve janë evropianë - për Kontinentin tonë të Vjetër. E prandaj edhe thirrja që u lartua sot nga Fatima, lutja e sotme e Fatimës, ishte një lutje për mbarë Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.