Kisha është shtëpia jonë – tha Benedikti XVI në Shenjtëroren e Aparesidës.
(13.05.2007 RV)Po kthehemi tek
dita e djeshme, e shtunë 12 maj. Pasi drekoi me kryesinë e Konferencës V të përgjithshme
të episkopatit latinoamerikan e karaibik, Benedikti XVI i priu Rruzares Shenjte në
Shenjtëroren mariane të Aparesidës, në praninë e mijëra besimtarëve. Këtu Papën e
përshëndeti kryeipeshkvi i Aparesidës, imzot Raimundo Damasheno Asiz, i cili i dhuroi
Atit të Shenjtë një miniaturë të Shenjtërores. Papa ia kushtoi homelinë kryesisht
priftërinjve e rregulltarëve, të cilët i porositi të frymëzohen nga mësimet e Virgjërës
Mari, duke u përpjekur ta ndriçojnë zemrën me dritat që Ajo na dërgon nga qielli. Pastaj
Benedikti XVI dëshmoi rishtas dashurinë e tij për Kishën në Amerikën latine: O
Papa vos ama! O Papa vos sauda afetuosamente! ‘Papa ju do! –tha Ati
i Shenjtë, i ndërprerë nga një shpërthim duartrokitjesh. ‘Papa ju përshëndet nga gjithë
zemra, lutet për ju e, në mënyrë të posaçme, për lëvizjet dhe realitetet e reja kishtare,
që dëshmojnë rininë e përhershme të Kishës. Më pas vijoi të flasë për sfidat para
të cilave ndodhen meshtarët latinoamerikanë: Quantos desafios, quantas situacoes… “Sa
sfida” – pohoi – sa situata të vështira, sa bujari e sa flijime: besnikëria në ushtrimin
e shërbimit meshtarak, jeta e lutjes, kërkimi i shenjtërisë e akoma, dhurimi i plotë
në shërbim të Zotit, jeta e shkrirë në mbrojtje të drejtësisë e të solidaritetit.
Gjithë kjo – nënvizoi Papa, i flet fuqimisht zemrës sime prej bariu. Benedikti XVI
pohoi më pas se dëshmia e meshtarisë e jetuar mirë, e fisnikëron Kishën, është shembulli
më i shkëlqyer për thirjet e reja, ftesa më e bukur që u drejtohet të rinjve për të
ndjekur rrugën e meshtarisë, duke iu përgjigjur kështu me gjithë zemër thirrjes së
Zotit. Ati i Shenjtë përsëriti ftesën për një hov të ri të ungjillëzimit, të gjallëruar
nga zelli misionar. Më pas vuri theksin mbi kuptimin e përkatësisë në Kishë: La
Iglesia es nuestra casa! Esta es nuestra casa! “Kisha është shtëpia jonë! –
pohoi. Kjo është shtëpia jonë!” Në Kishën katolike – shtoi – gjejmë gjithçka është
e mirë, gjithçka na bën të ndjehemi të sigurtë e të lehtësuar. E akoma: ia vlen të
jesh besimtar, ia vlen ta ruash fenë tënde. Nga ana tjetër – kujtoi Papa – koherenca
në fe kërkon edukim doktrinor e shpirtëror, gjë që kontribuon edhe për ndërtimin e
një shoqërie më të drejtë, më njerëzore, më të krishterë. Diakonët e seminaristët
Papa i porositi ta kenë gjithnjë parasysh figurën e Krishtit, Bariut të Mirë. Prej
këndej, ftesa për të qenë si diakonët e parë të Kishës: njerëz me emër të mirë, përplot
me Shpirtin Shenjt, me urti e fe. Deri këtu e ndoqëm Atin e Shenjtë për sonte. Ju
ftojmë të mos mungoni në takimin e nesërm, për t’u njohur me veprimtaritë e fundit
si dhe me një përmbledhje të këtij shtegtimi plot entuziazëm e optimizëm të Papës
në Kontinentin e shpresës.