2007-05-13 18:15:05

Dita e fundit e shtegtimit të Benedikti XVI në Brazil: Papa kryeson Meshën dhe sesionin përurues të Konferencës V të përgjithme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.


(13.05.2007 RV)RealAudioMP3 Në ditën e fundit të shtegtimit të tij apostolik në Brazil, ditë në të cilën u kremtua solemniteti i Zojës së Fatimës, mbarë kisha latinoamerikane jetoi një ngjarje të jashtëzakonshme. Sot Papa hapi, në Aparesida, Konferencën V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.
Pasdite, në orën 16. 00 me orën vendase, 21 me orën evropiane, pikërisht në sa po nisim transmetimin e programit tonë, Benedikti XVI do të mbajë një fjalim, shumë të pritur, që përmban orientimet lidhur me veprimtarinë baritore të Kishës së këtij Kontinenti për vitet e ardhshme.
Ndërsa paradite, rreth orës 10. 00 me orën braziliane, 15. 00 me orën evropiane, Benedikti XVI kremtoi Meshën përuruese të Konferencës V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan dhe karaibik në Aparesida, seli e Shenjtërores mariane më të vizituar të Amerikës Latine.
Kujtojmë se historia e Zojës së Aparesidës nis që nga viti 1717, pas një peshkimi të mrekullueshëm në lumin Paraiba. Pas dy përpjekjeve të pafrytshme për të zënë peshk, tre peshkatarë gjejnë ndër rrjeta një shtatore pa kokë të Zojës së Bekuar. Hedhin rishtas rrjetat e i nxjerrin përplot me peshk. E aty gjejnë edhe kokën e Shtatores. Zoja vendoset në shtëpinë e njerit prej tyre, ku rri 15 vjet e ku mblidhen besimtarët për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte. Devocioni përhapet me shpejtësi, me të edhe hiret, e aty, më 1737 ngrihet Kapela e parë, ndërsa më 1834, nis ndërtimi i Bazilikës së vjetër. Që nga viti 1894 kujdesi baritor në katedrale i besohet redentoristëve. Zoja e Aparesidës kurorëzohet më 1904. Më 1929 Zoja shpallet nga Papa Piu XI “Mbretëreshë e Pajtore e Brazilit.
Por të kthehemi tek Mesha, kremtuar në sheshin përballë kësaj Shenjtëroreje mariane, në praninë e të gjithë ipeshkvijve të Konferencave të ndryshme episkopale latinoamerikane e karaibike dhe të më se një milion besimtarëve, shumica të rinj që, për të zënë vend sa më pranë elterit, e kaluan gjithë natën në sheshin para shenjtërores së Zojës.
Homelia e Atit të Shenjtë ishte në përkim të plotë me liturgjinë e festës e me vendin ku u kremtua Mesha përuruese. Kisha jeton një kohë të veçantë liturgjike: atë të kalimit nga Pashkët - tek Rrëshajët, kohë që e bën gjithnjë më të pranishme frymën e Shpirtit Shenjt.
Përmes një paralelizmi të gjetur figurativ, duke pasur parasysh fragmentin liturgjik shkëputur nga ‘Veprat e Apostujve’, Papa kujtoi Koncilin e Jeruzalemit, në të cilin u fol për paganët e kthyer në kristianizëm, duke vënë theksin mbi faktin se ata tashmë nuk kishin nevojë t’i nështroheshin ligjit të Moisiut. Kjo faqe e ‘Veprave të Apostujve” – theksoi Shenjtëria e Tij, është shumë e përshtatshme për ne, që jemi mbledhur në një takim kaq të rëndësishëm kishtar: na kujton interesimin komunitar rreth problematikave të mëdha që përballon Kisha gjatë shtegtimit të saj e që sqarohen nga Apostujt e nga pleqtë, në dritën e Shpirtit Shenjt i cili, siç thotë Ungjilli i sotëm, na kujton mësimin e vetë Jezu Krishtit. Ndihmon, kështu, bashkësinë e krishterë të ecë në rrugën e dashurisë drejt së vërtetës së plotë. Papa kujtoi se prijësit e Kishës duhet të diskutojnë e të ballafaqohen, por duke mos harruar asnjë herë të dëgjojnë Fjalën e Krishtit në Shpirtin Shenjt. E kjo është metoda kryesore në veprimtarinë e Kishës, në mbledhjet e vogla e të mëdha. Nuk është thjeshtë çështje procedure: është pasqyrim i vetë natyrës së Kishës, mister e bashkim me Krishtin në Shpirtin Shenjt – vijoi të shpjegonte Papa, duke pasur parasysh faqen e Ungjillit të Shën Gjonit, lexuar gjatë liturgjisë së Fjalës.
Shpirti Shenjt e ne”. Kjo është Kisha: ne, bashkësia e besimtarëve, Populli i Hyjit me barinjtë e tij, të thirrur për t’i prirë gjatë shtegtimit, së bashku me Shpirtin Shenjt, Shpirtin e Atit, që është i dërguar në emër të Birit, Jezusit, Shpirtin e Atij që është më i madh nga të gjithë e që na dhurohet përmes Krishtit, i cili u bë i vogël për ne" – tha Papa dhe, duke vijuar komentin e Ungjillit, nënvizoi: ‘Shpirti Shenjt e shoqëron Kishën në shtegtimin e gjatë, që shtrihet nga ardhja e parë e Krishtit, tek e dyta, sepse Zoti, duke u ngjitur në qiell, u tha dishepujve: “Po shkoj, por do të kthehem rishtas tek ju”:
“Ndërmjet shkuarjes e kthimit të Krishtit është koha e Kishës, Korpit të Tij – komentoi Papa – e më pas kujtoi se tashmë kanë kaluar dymijë vjet kristianizëm për botën e pesëqind nga koha kur Kisha nisi shtegtimin në Amerikën Latine, duke rrënjosur në zemrat e besimtarëve jetën e Krishtit përmes sakramenteve e duke hedhur në këto troje, farën e mirë të Ungjillit”.
Në vijim të komentit ungjillor, Benedikti XVI shpjegoi se Besëlidhja e Re na e paraqet Krishtin si misionar të Atit, citoi fjalët e Ungjillit të Shën Gjonit: ‘Fjala që ju dëgjoni, nuk është imja, por e Atit që më dërgoi’ dhe i ftoi të pranishmit t’ia ngulin sytë Krishtit, me vetëdijën se misioni i Kishës gjallon vetëm si vijim i misionit të Zotit. E misioni i Krishtit u krye në dashuri. Ai ndezi në botë zjarrin e dashurisë së Hyjit, asaj dashurie që jep jetë. Prandaj nuk duhet harruar kurrë se Kisha u dërgua për të përhapur në botë pikërisht dashurinë e Krishtit: “Që njerëzit e popujt të kenë jetë e ta kenë me begati”– theksoi Papa, duke kujtuar kështu temën e Konferencës që përurohej me këtë Meshë solemne e, më pas, ia dorëzoi simbolikisht Kishës së Amerikës Latine enciklikën e tij të parë “Zoti është dashuri”.
Kisha - vijoi të theksonte Ati i Shenjtë, nuk bën prozelitizëm, nuk shtrëngon askënd të bëjë pjesë në radhët e saj. Ajo nuk detyron por tërheq, ashtu si Krishti, i cili i bën të gjithë për vete me forcën e dashurisë së tij, që arrin kulmin në flijimin e Kryqit.
Ju – u tha Ati i Shenjtë të pranishmëve – besoni në Zotin dashuri: kjo është forca juaj që mund botën, është gëzimi, që askush nuk mund t’jua rrëmbejë, paqja që Krishti e fitoi me Kryqin e tij. Kjo fe e bëri Amerikën ‘Kontinent të shpresës'. Nuk e bëri ndonjë ideologji politike, as ndonjë lëvizje shoqërore e as ndonjë sistem ekonomik, por besimi në Hyjin dashuri, që u mishërua, vdiq e u ngjall në Jezu Krishtin, themel i vërtetë i kësaj shprese, e cila solli shumë fryte, që nga epoka e ungjillëzimit të parë e deri më sot”.
Kisha jeton me gëzimet e shpresat, dhimbjet e ankthet e njerëzimit bashkëkohor. Mbi të gjitha, është përherë pranë të varfërve e njerëzve që vuajnë – theksoi Benedikti XVI – dhe në përfundim ia besoi Virgjërës Mari Kishën e Amerikës Latine e të Karaibeve, duke uruar që të rrezatojë në Kontinent e në botën mbarë Shenjtërinë e Krishtit.
Pas përfundimit të Meshës, Ati i Shenjtë tha lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke përshëndetur të pranishmit në disa gjuhë të botës. Në sa ne po transmetojmë, Benedikti XVI hap punimet e Konferencës V të përgjithshme të Episkopatit të Amerikës Latine dhe të Karaibeve në Sallën e Konferencave të Shenjtërores. Pas përfundimit të takimit, Papa Racinger do të kthehet në Seminarin e “Krishtit të mirë” nga ku do të shkojë në eliportin e Shenjtërores së Aparesidës për t’u përshëndetur me autoritetet vendase. Do të vijojë, pastaj me helikopter rrugëtimin drejt aeroportit ndërkombëtar Guaruljo të Sao Paolos ku, rreth orës 19.40 me orën vendase, 40 minuta pas mesnate me orën evropiane, do të mbajë fjalimin e lamtumirës, për t’u kthyer në Vatikan nesër, 14 maj pak pas mesdite.







All the contents on this site are copyrighted ©.