2007-05-12 18:02:51

Ati i Shenjtë viziton Kishën e 'Familjes së shpresës’, ku takohet me klariset


(12.05.2007 RV)RealAudioMP3 Në orën 10. 30 me orën vendase (15. 30 me orën evropiane) Benedikti XVI arriti nga Seminari - në Guaratingeta, ku vizitoi Kishën e re të ‘Fazenda da Esperança’ (Familjes së Shpresës) dhe u takua me rregulltaret klarise, lutjet e heshtura të të cilave përfshijnë gjithë Planetin, në sa shpallin ditë për ditë lajtmotivin e karizmës së tyre: “Qofsh lavdëruar, o Zoti im, për të gjitha krijesat tua!”, duke ringjallur shpresat e njerëzve, që botës i duken pa kurrfarë shprese. E kjo, sepse në “Familjet e shpresës” themeluar që në vitin 1979 me nismën e françeskanit misionar gjerman Atë Hans Stapel, jetojnë shumë njerëz të flakur nga shoqëria. Janë kryesisht të rinj, që në përpjekjen për të shpëtuar nga droga e alkooli, organizohen në 32 bashkësi të pëhapura në të gjithë Amerikën Latine, por edhe në Gjermani, Rusi e Filipine.
“Atje ku shoqëria nuk shikon asnjë shenjë shprese – theksoi Papa – të krishterët janë të thirrur të kumtojnë forcën e ringjalljes. E pikërisht këtu, në “Familjet e shpresës” – vijoi Shenjtëria e Tij – kjo forcë dëshmohet përmes grumbullimit e kujdesit për gjithë njerëzit e flakur nga radhët e shoqërisë: të droguarit, vajzat nëna, familjet nevojtare, të pastrehët, të sëmurët nga Sida në prag të vdekjes. Në ‘Familjet e shpresës’, njërën nga të cilat e vizitoi sot Ati i Shenjtë, punojnë 28 priftërinj, rregulltarë e rregulltare si dhe 8 mijë vullnetarë, ndërsa në bashkësitë e ndryshme të Brazilit strehohen e rikthehen në jetë më se 3 mijë vetë.
‘Familjet’ punojnë edhe për botimin e librave, të revistave, të CD-ve, të kasetave video dhe marrin pjesë në dhjetra programe televizive. Është një mrekulli e bashkëpunimit të shkencës me fenë, që të shëron korpin e shpirtin.
Prandaj gjatë takimit me klariset, Benedikti XVI theksoi:
“Atje ku shoqëria nuk shikon asnjë të ardhme shprese, të krishterët janë të thirrur të shpallin forcën e ringjalljes e të dëshmojnë Ungjillin e Krishtit në mjediset e sotme konsumistike, larg Zotit”.
Po perspektiva e Zotit në veprën e vet, është shumë larg kësaj shoqërie – vijoi Papa dhe, duke nënvizuar forcën e krishterimit, i vlerësoi shumë lutjet e motrave kundruese drejtuar Zotit të ngjallur për shpëtimin e botës, sepse:
“Është Krishti i ngjallur ai që mjekon plagët e i shpëton bijtë e bijat e Hyjit, që e shpëton njerëzimin nga vdekja, nga mëkati e nga skllavëria e pasioneve. Ngjallja e Krishtit bashkon qiell e tokë – tha Papa dhe nënvizoi se në këto ‘Familje të shpresës’, bashkohen lutjet e klariseve dhe puna e guximshme e mjekësisë, për të fituar mbi burgjet e veseve e për të coptuar zinxhirët e drogës që u shkaktojnë aq shumë vuajtje bijve të Zotit.
Zbulojmë kështu se bukuria e krijesave dhe dashuria e Hyjit janë të pandarshme. Françesku e Kiara nga Asizi, që e zbuluan këtë të fshehtë, u propozojnë bijve e bijave të tyre një gjë të vetme: ta jetojnë Ungjillin! Ta duan njeri- tjetrin me atë dashuri që i deshi Krishti
E gjithë kjo – theksoi Ati i Shenjtë – do të thotë se nuk duhen humbur kurrë shpresat! Në përfundim Benedikti XVI kujtoi se nesër, fare pranë “Familjeve të shpresës”, në Shenjtëroren e Aparesidës, do të hapet Konferenca V e episkoptatit latinoamerikan e karaibik dhe i ftoi të gjithë të luten, që popujt të kenë jetë në Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.