2007-05-11 19:23:57

Dita e tretë e vizitës së Papës në Brazil


(11.05.2007 RV)Nga emocioni në emocion, nga festa në festë. Ditën e tretë të shtegtimit apostolik në Brazil, Benedikti XVI kryesoi Meshën për kanonizimin e Frei Galvaos, shenjti i parë i lindur në Brazil. Kremtimin e ndoqën më se një milion besimtarë, shumë nga të cilët kishin arritur që në orët e para të mëngjesit në Kampo de Marte të San Paolos.
Pasdite Ati i Shenjtë u drejtoi ipeshkvijve brazilianë një fjalim shumë të rëndësishëm për jetën e Kishës, në prag të hapjes së Konferencës së përgjithshme të episkopatit latinoamerikan e karaibik.
Ndërsa mbrëmë, i rrethuar nga qindra të rinj në stadiumin Pakaembu të San Paolos, Papa u bëri thirrje të mos e shpërdorojnë rininë, ta shikojnë me sy pozitiv jetën dhe të jenë protagonistë të një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore.
Dita e tretë e Atit të Shentjë në San Paolo të Brazilit nisi me transferimin nga
kuvendi i Shën Benediktit, në Kampo de Marte ku, si u takua me besimtarët e panumërt, kryesoi Meshën me ritin e kanonizimit të Shenjtit të parë, lindur në Brazil. Peticioni për shenjtërimin e Frei Galvaos iu paraqit Papës nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Hosè Saraiva Martins, i cili shoqërohej nga postulatorja e Çështjes, rregulltarja Selia Kadorin. Pas litanive dhe formulës së shenjtërimit, që u lexua nga Papa, filloi procesioni i besimtarëve me reliket e Shenjtit, të cilat u vendosën në elter.
Stacco
Ati i Shenjtë e përqendroi homelinë tek figura e françeskanit brazilian, Fra Antonios së Shën Anës Galvao dhe tek aktualiteti i shembullit të tij. Duke shpjeguar se Shenjti i ri e jetoi karizmën françeskane në përkim të plotë me mësimet e Ungjillit, Benedikti XVI nënvizoi se Fra Galvao dha një dëshmi të ndritur, si adhurues i përkushtuar i Eukaristisë, si bari shpirtrash, që e kërkonin e si i devoçëm i Zojës së Papërlyer. E jeta e Kishës – vijoi Ati i Shenjtë – është thellësisht eukaristike. Zoti, në provaninë plot dashuri, na la një shenjë të dukshme të pranisë së Tij:
“Në Eukaristinë Shenjte përfshihet gjithë e mira shpirtërore e Kishës, vetë Krishti, buka e gjallë që zbriti nga qielli, e gjallëruar nga Shpirti Shenjt e jetëdhënës, sepse u jep jetë njerëzve. Kjo shfaqje misterioze e dashurisë së Zotit për njerëzimin, zë vendin kryesor në zemrën e të krishterëve, të cilët duhet ta njohin fenë e Kishës përmes meshtarëve të tyre – tha Papa - dhe i porositi besimtarët ta marrin e ta nderojnë të Shenjtnueshmin Sakrament me përshpirtëri e devocion të thellë, pa harruar se duhet të rrëfehen sa herë është e nevojshme. Benedikti XVI theksoi, në vijim, rolin tepër të rëndësishëm të meshtarit në Sakramentin e Rrëfimit, që e pajton njeriun mëkatar me Zotin.
Më pas Papa u ndal te figura e Shenjtit të ri, njeri i paqes, rrëfyes tek i cili dyndeshin besimtarë nga të katër anët e vendit: të varfër e të pasur, të shëndoshë e të sëmurë në korp e në shpirt. Kërkonin ndihmën e tij. E ai, si atë shpirtëror për të gjithë ata që gjunjëzoheshin në rrëfyestore, i pajtonte me Zotin, duke u rikthyer paqen e humbur, në emër të Krishtit që na desh aq, sa të jepte jetën në kryq për të gjithë ne.
Si krijoi vizionin e plotë të krishterimit, Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen e besimtarëve tek Konferenca V e përgjithshme e episkoptatit latinoamerikan dhe tek tema e saj: “Nxënës e misionar të Krishtit, që në Të popujt tanë të kenë jetë”, duke i ftuar të gjithë që, në përkim me vendin që zënë e rolin që luajnë në Kishë, të vihen plotësisht në shërbim të Zotit e të të varfërve.
Në përfundimm të homelisë, Benedikti XVI uroi që besimtarët të ndjekin shembullin e Shën Galvaos:
“Sa aktuale janë për ne, që jetojmë në këtë epokë përplot me hedonizëm, fjalët e shkruara në formulën e shugurimit të tij: “O Zoti im, të lutem të ma marrësh jetën, para se ta fyej Birin tënd të bekuar, Zotin tim”.
Janë fjalë të forta – theksoi Papa - të dala nga një shpirt plot pasion, fjalë që të gjithë të krishterët, të shuguruar ose jo, duhet t’i vënë në themel të jetës e t’u zgjojnë në shpirt dëshirën për t’i qëndruar besnikë Zotit, të martuar apo të pamartuar qofshin. Bota – vijoi të aktualizojë Benedikti XVI - ka nevojë për jetë të kulluara, për shpirtra të pasërta, për mençuri të thjeshta, që nuk pranojnë kurrsesi të bëhen objekt shfrytëzimi për kënaqësinë e të tjerëve.
E në vijim Ati i Shenjtë i porositi gjithë të pagëzuarit t’u kundërvihen mjeteve të komunikimit shoqëror që vënë në lojë shenjtërinë e martesës dhe virgjërinë para saj, duke i ftuar t’ia besojnë veten Virgjërës së Kulluar, që është mbrojtja më e mirë kundër sëmundjeve shoqërore nga të cilat vuan shoqëria moderne.
Pas përfundimit të Meshës, rreth orës 11. 45 me orën vendase, 16. 45 me orën evropiane, Papa u rikthye në kuvendin e Shën Bentos, nga ku, pas drekës private, u nis rishtas për në Katedral da Sé, kisha metropolitane e San Paolos, ndërtuar mbi themelet e katedrales së vjetër të 1745-sës dhe seli ipeshkvnore, kushtuar Zojës Nunciatë. “Sé” është shkurtim i fjalëve “Selia Episcopale”, ndërsa katedralja është një nga pesë kishat më të famshme gotike në botë.
Këtu, njëkohësiht me fillimin e transmetimit tonë (sipas orës evropiane – në sa akrepat e orës vendase shënojnë orën 16.00”, nisi edhe takimi i Papës me ipeshkvijtë e Brazilit, organizuar në formën e kremtimit të lutjeve mbrëmësore, kushtuar temës “Drejt Konferencës së Aparesidës”. Por ndërsa Papa shqipton homelinë, përfundon edhe takimi ynë radiofonik për sonte e ne ju ftojmë të na ndiqni nëpërmjet faqes sonë të internetit, ku do të mund të njiheni me vijimin dhe përfundimin e këtij kremtimi, që do ta pasqyrojmë, pastaj, edhe në programin tonë radiofonik të mëngjesit.
Por, të rikthehemi tek takimi i mbrëmshëm i Papës me të rinjtë:
“Jeni miq të Jezusit e, të përforcuar nga kjo miqësi, dëshmojani bukurinë e Ungjillit të rinjve që e kanë humbur udhën e që jetojnë pa shpresa”. Ky është misioni i madh që Benedikti XVI ua besoi të rinjve të Amerikës Latine në kremtimin e jashtzakonshëm të Pakaembusë. Ishte një takim i ngarkuar me emocione, që i pushtuan si të rinjtë, ashtu edhe Atin e Shenjtë që në fillim të kremtimit:
“Shihet e ndjehet: Papa është i pranishëm” – brohorisnin të rinjtë, në sa u shpërthente nga zemra ky himn i vetvetishëm gëzimi. Koret, që i paraprinë fjalimit të shumpritur të Benediktit XVI, u ndërprenë disa herë nga duartrokitjet e të rinjve:
Nosos bosques têm mais vida…
“Pyjet tona kanë më shumë jetë!” – nënvizoi Shenjtëria e Tij, dhe më pas bëri thirrje: “Mos lejoni të shuhet flaka e shpresës që ju vë në buzë himni juaj kombëtar. Shkatërrimi ambiental në Amazonë dhe kërcënimet kundër dinjitetit të popullsive të saj, kërkojnë më tepër impenjim në fusha të ndryshme, sidomos atje ku ka më shumë nevojë shoqëria”.
“Sois jovens da Igreja. Por isso Eu vos envio…
“Ju jeni të rinjtë e Kishës – pohoi plot besim Ati i Shenjtë – prandaj ju ftoj të merrni pjesë gjallërisht në misionin për t’i ungjillëzuar djemtë e vajzat që ravgojnë pa kuptim rrugëve të botës, si delet pa bari e të jeni apostuj të të rinjve, në mënyrë që edhe ata të zbulojnë rrugët e sigurta të urdhërimeve e, duke ecur në to, të arrijnë te Zoti”.
Kujtojmë se dje, gjatë drekës me ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore të Brazilit, Papa u dhuroi atyre 200 mijë dollarë për planet në favor të Amazonës.
Në ditën e dytë e shtegtimit brazilian, Benedikti XVI mori pjesë edhe në një takim me karakter ekumenik e ndërfertar, në Kuvendin e Shën Bentos. Të pranishëm - përfaqësues të konfesioneve të tjera të krishtera, ndërmjet të cilëve, pastori Karlos Moeler, kryetar i Këshillit Kombëtar të Kishave të Krishtera të Brazilit si dhe udhëheqësit e bashkësisë hebraike e myslimane braziliane. Pastaj, papritur, Papa doli katër herë në ballkonin e kuvendit, prej nga përshëndeti, bekoi e falënderoi turmën e besimtarëve.
“Grazie per la vostra presenza, per il vostro entusiasmo. Un abraccio a voi tutti!”.
“Ju falënderoj për praninë tuaj, për entuziazmin tuaj. Ju përqafoj nga zemra të gjithëve”.
Lidhur me dhuratën e Papës për Amazonën, kujtojmë se, në përfundim të Asamblesë së tyre të 45-të, më 8 majin e kaluar, ipeshkvijtë brazilianë, në përkim me veprimtarinë baritore që promovojnë që nga viti 1972, theksuan rëndësinë e Amazonës jo vetëm si faktor ekologjik me rëndësi jetike për mbarë Planetin, por edhe për shkak të mbrojtjes urgjente të popullsive amazonike. Me këtë frymë, episkopati shpjegon, në një deklaratë të posaçme, projektin “Jetë e mision” (Solidaritet me Amazonën). Komisioni ipeshkvnor për Amazonën, i krijuar që në vitin 2002, do të ketë për detyrë të koordinojë veprimtaritë e shumta dhe nismat e ardhshme në këtë fushë. Ju rikujtojmë, në përfundim, se dita e tretë e shtegtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Brazil është në gjysmën e udhës e ne ju ftojmë të na ndiqni përmes internetit e edhe programit tonë të mëngjesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.