2007-05-10 17:26:48

Papa takohet me të rinjtë brazilianë.


(10.05.2007 RV)Sot, në orën 18. 00 me orën vendase, 23. 00 me orën evropiane, Benedikti XVI do të takohet me të rinjtë e Brazilit. Për këtë takim, nga Brazili na flet imzot Mariano Manxana, ipeshkëv i Mossoros në shtetin verilindor të Rio Grande do Norte:
Përgjigje: - Sot jetojmë në një botë të globalizuar, që tërheq në radhë të parë vëmendjen e të rinjve. Mjafton të dëgjosh muzikë, për t’i bërë vetes pyetjen: ‘Je në Brazil, në Evropë apo në SHBA?!”. Mund të themi, prandaj, se të rinjtë e ndjejnë krizën e të rinjve të tjerë në botën e sotme: krizë identiteti, jo vetëm në këndvështrim njerëzor, afektiv, por edhe në këndvështrim fetar. Kanë nevojë ta shikojnë me syrin e vet fenë e marrë në familje, cila sot vihet shumë shpesh në diskutim. Pastaj, edhe për t’u dhënë përgjigje problemeve themelore të njeriut: mendoj për punën, për familjen e, sidomos, për shpërndarjen e pasurive këtu në Brazil, për të ardhurat, problem shumë i rëndësishëm, sepse shkakton përjashtimin e një pjese të mirë të rinisë nga radhët e njerëzve të punës, duke krijuar rrezikun e flakjes në rrugën e drogës, të trafikut ndërkombëtar, të prostitucionit e të shumë situatave të tjera, që kërcënojnë seriozisht jetën e përditshme të të rinjve në Brazil.
Pyetje: - Ç’pritet nga vizita e Benediktit XVI në Brazil? Ç’ fryte mendohet se do të sjellë në të ardhmen?Përgjigje: - Kjo vizitë, pa asnjë dyshim, do të lerë gjurmë, për arsye se vë në dukje rolin e madh ungjillëzues të rregulltarëve, të priftërinjve, të ipeshkvijve në Amerikën Latine. Por vë në dukje edhe se aspekti misionar lidhet ngusht sidomos me Pagëzimin, me faktin se je i thirrur nga Krishti, i cili të shndërron në misionar për të tjerët. Asnjeri nuk mund ta shijojë një gëzim të madh, pa ndjerë nevojën për t’ia komunikuar edhe të tjerëve. E kjo është edhe shpresa jonë: shpresojmë se nga ky takim e nga puna baritore e gjithë këtyre viteve, do të lindë vërtetë laikati i ri i Amerikës Latine, i aftë për t’i dhënë arsye shpresës së vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.