2007-05-10 17:55:17

Nga Brazili, Benedikti XVI ripohon impenjimin e Kishës për paqe e drejtësi.


(10/05/2007 RV)RealAudioMP3 I pritur me entuziazmin tipik të popullit brazilian, Benedikti XVI filloi mbrëmë shtegtimin e tij të parë apostolik në Brazil. Në fjalimin e parë, mbajtur në aeroportin ndërkombëtar Guaruljos në San Paolo, Papa vuri theksin mbi rëndësinë e Konferencës V të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan (CELAM), punimet e së cilës do t’i hapë të dielën e ardhshme në Aparesida. Ati i Shenjtë pati edhe takimin e parë, tepër të ngrohtë, me besimtarët brazilianë, të cilët i përshëndeti dhe i bekoi nga ballkoni i Kuvendit të Shën Bentos, në zemër të metropolit, ku do të strehohet gjatë qëndrimit të tij në San Paolo.
Por, për hollësitë, të ndjekim shërbimin e njërit nga të dërguarit e posaçëm të Radio Vatikanit, Alesandro Gjizotit:
“T’i japë energji të reja e hov misionar Amerikës Latine, kontinentit të shpresës”: Kështu i sintetizoi Benedikti XVI qëllimet e këtij shtegtimi apostolik në tokën braziliane.
O Brasil ocupa um lugar muito especial…
Brazili – tha Ati i Shenjtë gjatë fjalimit të mirëseardhjes në aeroportin e Shën Palit - zë një vend tepër të posaçëm në zemrën e Papës, jo vetëm sepse ka lindur i krishterë e pse ka numrin më të madh të katolikëve, por kryesisht sepse është vend me një Kishë plot gjallëri, prej nga burojnë gëzimi e shpresa për mbarë Kishën universale.
Papa vuri theksin mbi impenjimin e thellë të Kishës në misionin ungjillëzues, në shërbim të paqes e të drejtësisë. Ja pse – shpjegoi – Konferenca e Aparesidas do të ketë një përmasë thellësisht misionare. Kjo Konferencë do të promovojë mbrojtjen e jetës e të dinjitetit njerëzor, do të thellojë solidaritetin ndaj të varfërve e do të shërbejë si djep i propozimeve kishtare, që mund t’i japin hov të ri misionar gjithë Kontinentit. Prandaj Benedikti XVI theksoi me forcë impenjimin e Kishës katolike në shërbim të mbarë Kombit:
‘Nesta area geografica os catolicos sao malora…’
“Në këtë zonë gjeografike – vërejti Ati i Shenjtë – shumica e popullsisë është katolike: kjo tregon se duhet të kontribuojë në mënyrë të veçantë në shërbim të së mirës së përbashkët të të gjithë Kombit. Fjala solidaritet fiton domethënien e vet të plotë kur forcat e gjalla të shoqërisë, secila në fushën e vet, impenjohen seriozisht në ndërtimin e një ardhmërie me paqe e shpresë për të gjithë”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë e më pas theksoi sfidat e kryesore që duhet të pëballojë Kisha në Brazil:
Sei que a alma deste, bem como de toda…
“E di se shpirti i këtij populli, ashtu si i mbarë Amerikës Latine - pohoi Shenjtëria e Tij – ruan vlera rrënjësisht të krishtera, të cilat nuk janë shlyer kurrë nga zemra e tij”.
Në këtë kontekst, Benedikti XVI ripohoi se Kisha do të impenjohet gjithnjë për fuqizimin e familjes. Më pas, duke cituar enciklikën e tij të parë “Deus caritas est”, theksoi se Kisha, e shndërruar nga forca e Shpirtit Shenjt, është e thirrur të jetë në botë, dëshmitare e dashurisë së Atit qiellor, që dëshiron ta bëjë njerëzimin një familje të vetme, në Birin e vet.(cfr n. 9).
Prej këndej Benedikti XVI u ndal kryesisht tek misioni ungjillëzues i Kishës, në shërbim të çështjes së paqes e të drejtësisë: “Vendimi për realizimin e një Konference kryesisht misionare, pasqyron qartë shqetësimin e episkopatit si dhe timin – tha Benedikti XVI - për kërkimin e rrugëve të përshtatshme, për të bërë që, në Jezu Krishtin, “popujt tanë të kenë jetë”, siç na kujton edhe tema e Konferencës”.
Më pas, duke kapërcyer kufijtë e Brazilit, Ati i Shenjtë përshëndeti mbarë popujt e Amerikës Latine e të Karaibeve, duke i uruar, me fjalët e Shën Pjetrit Apostull: “Paqja me të gjithë ju, që jeni në Krishtin!” dhe ritheksoi se vizita e tij në Brazil, vend me traditë të thellë katolike, me rastin e një Konference në të cilën përfshihet mbarë Amerika Latine, ka karakter thellësisht fetar.
Presidenti brazilian, Luis Inasio Lula de Silua, e falënderoi Papën për vizitën e tij në Brazil, vend me tradita të lashta katolike e me një të kaluar bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet Shtetit e Kishës sidomos në fushën shoqërore. Presidenti Lula e falënderoi Papën edhe për impenjimin e Kishës në luftë kundër varfërisë. Të gjithë popujt – theksoi Lula – e dinë mirë se fjala e Benediktit XVI do të jetë gjithnjë në shërbim të paqes, të jetës, të dinjitetit njerëzor. Pastaj presidenti brazilian siguroi se do ta mbështesë Kishën në mbrojtje të familjes e të edukimit të të rinjve.
E, pas fjalimit në aeroportin ndërkombëtar Guaruljos, Benedikti XVI u nis me helikopter për në aeroportin Kampo de Marte, ku u prit nga një kor të rinjsh. Këtu kryetari i bashkisë, Gjilberto Kasab, i dorëzoi Atit të Shenjtë çelësat e qytetit dhe titullin ‘Qytetar nderi’. Pastaj, si përshkoi 5 kilometra rruge, në të dyja anët e së cilës brohorisnin me entuziazëm të papërshkrueshëm mijëra besimtarë, Benedikti XVI arriti në Kuvendin e Shën Bentos, siç e shqiptojnë brazilianët emrin e Shën Benediktit, ku u prit me tingujt festivë të këmbanave, të cilat kumbuan të gjitha përnjëherësh.
Këtu, nga ballkoni i Kuvendit, pëshëndeti dhe bekoi shtegtarët, të cilët iu përgjigjën me brohoritje dhe me duartokitje të pandërprera.
Fjalët e para të përshëndetjes ishin të ngarkuara me emocionet e kësaj mikpritjeje plot entuziazëm:
“Kjo mikpritje e ngrohtë e prek thellë Papën! Ju falënderoj që më pritët në gjirin tuaj. Këto ditë, për ju të gjithë e për mbarë Kishën, do të jenë të ngarkuara me emocion e me gëzim!”.
E vërtetë, ashtu siç theksoi në përshëndetjen e tij të shkurtër Ati i Shenjtë – Kisha amerikanolatine është në festë e nga të gjitha skajet e botës besimtarët luten për këtë shtegtim të parë baritor të Pasardhësit të Shën Pjetrit në Brazil e në Amerikën Latine.
Shenjtërimi i Fra Galvaos dhe përurimi i Konferencës V të episkopatit të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, do të jenë gurë kilometrikë në historinë e Kishës – tha në përfundim Papa, i cili sot, rreth orës 15. 15 me orën evropiane (10. 30 me orën vendase) u takua përsëri me presidentin Lula në sallonin e katit të dytë të Pallatit dos Bandeirantes, ku u zhvillua një bisedim privat, u shkëmbyen dhuratat, u paraqitën familjarët e bashkëpunëtorët dhe u bënë fotografitë e rastit. Pastaj Benedikti XVI u rikthye në Kuvendin e Shën Bentos, ku u takua me përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera e të feve të tjera. Ndërsa sonte, duke nisur nga ora 23. 00 me orën evropiane (18. 00 me orën vendase) do të marrë pjesë në takimin e shumpritur me të rinjtë, në stadiumin Pakaembu. Tema e takimit, që do të ketë formën e kremtimit të liturgjisë së Fjalës së Zotit, është “I ri, nxënës e misionar i Krishtit”. Gjatë kremtimit do të ketë dëshmi që flasin për realitetin rinor në Brazil e do të inskenohet ‘Kënga e krijesave’ shoqëruar me projektimin e bukurive të natyrës braziliane. Më pas Papa do të mbajë homelinë e kremtimit. Në përfundim të homelisë, kompleski “Musika Popular Brazileira” do të interpretojë një pjesë muzikore kompozuar enkas për këtë takim, që do të zhvillohet tërësisht në gjuhën portugeze.
Së fundi Papa do të niset për në Kuvendin e Shën Bentos, ku do të kalojë natën, për të vijuar veprimtaritë e ditës së premte, të cilën do ta nisë me kremtimin e Meshës për shenjtërimin e të Lumit Galvao, rregulltar françeskan që ka jetuar ndërmjet viteve 1700 e 1800.Pasdite, takimi me ipeshkvijtë e Brazilit në Katedral da Sé në San Paolo e pastaj nisja për Aparesida.







All the contents on this site are copyrighted ©.