(10.05.07 RV)Videoja e dytë e Al-Kaidës në Algjeri, pas të parës, që tregonte
përgatitjet dhe atentatin kamikaze të 11 prillit kundër një komisariati policie në
kryeqytet, është përhapur sot nëpërmjet internetit. Paralajmëron sulme të reja terroriste
në zonën e Magrebit, të frekuentuar më së shumti nga turistë evropianë. “U kërkojmë
myslimanëve të shmagin vendet ku ndodhen të huajt, si diplomatë, apo afaristë, ashtu
edhe turistë”. Kështu fillon mesazhi i lexuar nga emiri i grupit algjerin të Al-Kaidës,
i cili kërkon edhe që të kontaktohet nga ata që dëshirojnë të bëhen kamikaze. Objektivat
e privilegjuara të sulmeve do të jenë vendet turistike të Afrikës Veriore. Parlamenti
turk ka miratuar amendamentin kushtetues që i hap rrugën zgjedhjes së drejtpërdrejtë
të presidentit të Republikës nga populli. Asambleja duhet të votojë edhe një paketë
reformash elektorale, që më pas duhet nënshkruar nga presidenti Nexhdet Sezer. Ky
i fundit ka paralajmëruar ditë më parë se do të vendosë veton, nëse amendamenti nuk
parashikon edhe një debat parlamentar mbi zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit.
Misionet
në Afganistan e në Liban, infiltrimi i Al Kaidës, gabimet e SHBA-ve, ndihmat për
Izraelin, kritikat ndaj Moskës, Turqia dhe Bashkimi Evropian, pavarësia e Kosovës:
këto janë temat e intervistës së zv.kryeministrit e ministrit të jashtëm italian,
Masimo D’Alema dhënë revistës së njohur italiane “Espresso”, e cila nesër do të jetë
në pikat e shitjes së gazetave. Nesër do t’ju informojmë më gjatë, sidomos për pjesën
që i përket Kosovës.