2007-05-09 18:45:09

Në Amerikë arrestohen 4 shqiptarë musulmanë


(09.05.07 RV)6 myslimanë janë arrestuar në Nju Xhersei të SHBA-ve nga FBI-ja amerikane me akuzën se po përgatisnin një sulm terrorist kundër bazës ushtarake Fort Diks, ku sipas hetimeve, donin të vrisnin së paku 100 ushtarë. Pas 15 muaj hetimesh përfunduan në pranga katër shqiptarë nga Kosova, kunati jordanez i tre prej tyre dhe një turk.
Nga Kosova, ka reaguar Kryesia e Bashkësisë Islame, e cila ka dënuar çdo lloj akti terrorist, duke e quajtur një rast të rëndë përfshirjen e kosovarëve në një komplot ndaj një shteti mik të Prishtinës. Kanë dënuar ashpër veprimtarinë e kosovarëve edhe autoritete politike të Kosovës dhe Këshilli shqiptaro-amerikan në Uashington, i cili kujton se Fort Diks është baza ku gjetën strehë mjaft refugjatë kosovarë gjatë luftës.


SHBA-të dhe Evropa janë marrë vesh për një rezolutë që respekton planin e Ahtisarit për Kosovën, ndërsa Rusia frenon. Ambasadori i Moskës në Këshillin e Sigurimit, Vitali Çurkin ka shpërndarë një projekt-rezolutë që thekson se shkëputja e Kosovës nga Serbia është e parakohshme dhe se duhen vazhduar negociatat Kosovë-Serbi për gjetjen e një zgjidhjeje alternative. Sot, Franca i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të “marrë përsipër përgjegjësinë e vet”, pa zgjatje të mëtejshme, dhe të arrijë sa më shpejt në paraqitjen e një projekt-rezolute për Kosovën.







All the contents on this site are copyrighted ©.