2007-05-09 18:49:10

Lajme nga bota


(09.05.07 RV)Zv.presidenti amerikan Dik Çenei vizitoi papritur Bagdadin, ku qëndroi për bisedime me kryeministrin irakian Nuri al Maliki dhe liderë të tjerë. Vizita e paparalajmëruar shënon fillimin e turneut të Çeneit në Lindjen e Mesme. Ai synon të bindë shumicën sunite të fqinjëve të Irakut që të mbështesin ofensivën katër mujore amerikane kundër kryengritësve në Irak.
Ndërkaq, ka arritur në 20 të vdekur e 70 të plagosur bilanci i shpërthimit të kamionit bombë në Arbil, kryeqyteti i Kurdistanit irakian. Atentati kamikaze ndodhi në mëngjes, para ministrisë lokale të brendshme.


Polemika e tmerr në Afganistan, ku luftimet ndërmjet talebanëve dhe ushtarëve të koalicionit ndërkombëtar kanë shkaktuar 21 viktima civile në provincën e Helmandit. Guvernatori lokal akuzon bombardimet e NATO-s e dje, ushtarët amerikanë u akuzuan edhe për vrasjen e 19 viktimave të tjera civile në provincën e Nangarharit. Ndërkaq, Senati i Kabulit ka miratuar një mocion që mbështet hapjen e bisedimeve me talebanët.


Vazhdojnë problemet në periferitë e qyteteve kryesore franceze, në shenjë proteste ndaj zgjedhjes së Nikolas Sarkozì si president i Francës. Në Paris, 150 manifestues u përpoqën të bllokonin rrugët që çojnë në sheshin e Bastijës. Në Lion 400 vetë u ndeshën me policinë e në Vilërban iu vu zjarri selisë së partisë së Sarkozìsë. Zhak Shirak do t’ia kalojë detyrën Nikolas Sarkozìsë më 16 maj.







All the contents on this site are copyrighted ©.