2007-05-07 18:28:52

Mbretëresha Qiellore: Papa ia beson shën Marisë udhëtimin e tij në Brazil


(07.05.07 RV)RealAudioMP3 Udhëtimi në Brazil në emër të shën Marisë: mbi këtë temë e përqëndroi dje Papa Benedikti XVI Lutjen e Mbretëreshës Qiellore para 30 mijë besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Kontineti i shpresës” e quajti Ati i Shenjtë, Amerikën Latine, duke u bërë thirrje të krishterëve të jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit. Por është Zoja e Bekuar, Virgjëra e Shenjtë së cilës i kushtohet muaji i majit, “shkolla për të mësuar si të jemi gjithnjë të gatshëm për të kryer vullnetin e Zotit”. Në pritje të Rrëshajve, është pikërisht shën Maria, tha Papa, Nëna që shoqëron apostujt e mbledhur në lutje. Kjo është udhëheqja për të gjithë besimtarët:
Prandaj, ky muaj mund të jetë rasti për t’iu kthyer fesë së Kishës së zanafillës dhe, në bashkim me shën Marinë, të kuptojmë se edhe sot misioni ynë është të shpallim e të dëshmojmë me guxim e gëzim Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, shpresë për njerëzimin.
E pikërisht Virgjërës së Shenjtë, Papa i beson edhe udhëtimin apostolik që do të kryejë këtë javë në Brazil, nga 9 deri më 14 maj. Në Aparesida do të përurojë të dielën Konferencën e Pestë të Përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve, ndërsa në kryeqytetin shën Pali do të takojë të rinjtë dhe ipeshkvijtë e vendit. Po aty, do të shpallë shenjt Fra Antonion e Shën Anës Galvao. Dje, Benedekti XVI u tha besimtarëve:
Është vizita ime e parë pastorale në Amerikën Latine dhe përgatitem shpirtërisht të takohem me subkontinentin latinoamerikan, ku jeton gati gjysma e katolikëve të krejt botës, shumë prej të cilëve janë të rinj. Për këtë është mbiquajtur “Kontinenti i shpresës”: një shpresë që ka të bëjë jo vetëm me Kishën, por me krejt Amerikën e botën mbarë.
Papa i ftoi të gjithë që t’i luten Nënës së Zotit për mbarëvajtjen e këtij shtegtimi apostolik, e në veçanti për konferencën e ipeshkvijve, që të gjithë të krishterët e atyre zonave, të ndihen dishepuj dhe misionarë të Krishtit, Rruga, e Vërteta dhe Jeta:
Të shumta e të shumëllojshme janë sfidat e tanishme: ja përse është e rëndësishme që të krishterët të jenë të formuar për të qenë “tharm” i së mirës dhe “dritë” shenjtërie në këtë botë.
Pas Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa përshëndeti shtegtarët e shumtë zviceranë që kishin ardhur në Romë për betimin e 38 rojeve të reja zvicerane, ceremoni që u zhvillua dje pasdite në Vatikan. Benedikti XVI përshëndeti gjithashtu edhe fëmijet e “Maratonës së Pranverës”, çast kulmor i Festës së Shkollës organizuar në bashkëpunim me Vikariatin e Romës, si rast takimi ndërmjet bashkësive shkollore katolike të Romës. Atyre, Papa u tha:
Të dashur miq, ju uroj gjithë të mirat për festën tuaj, që bashkon sportin, muzikën dhe edukimin civil. “Maratonë” të mbarë e sidomos urime për fundin e vitit shkollor.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.