2007-05-07 18:35:16

Benedikti XVI eproreve të rregulltareve nga e gjithë bota: "jo" komoditeteve, mendoni për formimin shpirtëror e njerëzor


(07.04.07 RV)RealAudioMP3 Sot, Papa Benedikti XVI u takua në audiencë me rregulltaret e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme. U thoni “jo” komoditeteve dhe lehtësirave dhe kujdesuni për formimin tuaj njerëzor e shpirtëror, që t’i qëndroni besnike thirrjes që keni marrë.
Që dje, 794 murgesha ndodhen në Romë, në Asamblenë e Përgjithshme të Eproreve nga e gjithë bota. Ati i Shenjtë i priti sot paradite në Sallën e Bekimeve dhe u kërkoi të mishërojnë Ungjillin në realitetin bashkëkohor, sidomos aty ku ka më shumë varfëri njerëzore e shpirtërore. Eproret e përgjithshme shoqëroheshin nga kardinali Franc Rodè, prefekt i Kongregatës për Institutet e jetës së shuguruar dhe shoqëritë e Jetës Apostolike. Ndër të tjera, Papa u tha:
Mos u lodhni së rezervuari çdo kujdes të mundshëm për formimin njerëzor, kulturor dhe shpirtëror të personave që u janë besuar, që ato të jenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave të sotme kulturore dhe shoqërore. Jepni shembull të parat, duke iu larguar komoditeteve, lehtësirave, përfitimeve për ta plotësuar kështu misionin tuaj. Bashkëndani pasuritë e thirrjes suaj me ata që janë të impenjuar në misionin e vetëm të Kishës, që është ndërtimi i Mbretërisë së Zotit.
Papa u kujtoi disa herë rregulltareve temën e Asamblesë së tyre të Përgjithshme: “Të thirrura të endim një përshpirtëri të re që sjell shpresë e jetë për gjithë njerëzimin”. Ati i Shenjtë nënvizoi se në jetën e përditshme, në marrëdhëniet ndërpersonale dhe në jetën apostullore, murgeshat duhet të përpiqen të komunikojnë me fjalë e gjeste konkrete dashurinë e Zotit, nëpërmjet dhurimit të plotë të vetvetes, gjithnjë duke e mbajtur vështrimin e zemrën të ngulur te Krishti:
Janë këto “fijet” me të cilat Zoti ju shtyn, të dashura Rregulltare, të “endni” sot pëlhurën e një shërbimi të frytshëm në Kishë e të një dëshmie të qartë ungjillore “gjithnjë të lashtë e gjithnjë të re”, pasi besnike ndaj urdhërimeve të Ungjillit dhe e mishëruar me guxim në realitetin bashkëkohor, sidomos aty ku ka më tepër varfëri njerëzore dhe shpirtërore.
Nuk janë pak sfidat shoqërore, ekonomike dhe fetare me të cilat duhet të përballohet sot Jeta e Shuguruar – vazhdoi Benedikti XVI. Shpesh duhen zbuluar shtigje të reja misionare e shpirtërore e për këtë, murgeshat i ndihmon vetëm bashkimi me Zotin. Për këtë arësye, Papa i ftoi:
Mos bini pra kurrë në tundimin që të largoheni nga intimiteti me Dhëndrin tuaj qiellor, duke e lënë veten në dorë të interesave e të problemeve të jetës së përditshme.
Ati i Shenjtë, Jozef Racinger inkurajoi misionet e kongregatave të ndryshme të rregulltareve në 85 vende të botës, duke u kërkuar Eproreve që të kujdesen për ta mbajtur gjithmonë shpirtin e motrave të bashkuar me Zotin, nëpërmjet kundrimit e të mos shqetësohen shumë për të ndërtuar vepra, apo për të bërë punë. Përpjekja juaj, u tha Papa, duhet të ketë për qëllim dëshmimin e dashurisë së Krishtit, duke u përpjekur që ta jetoni këtë dashuri në realitetin e botës, edhe nëse prania e tij është nganjëherë “e bezdisshme”, sepse ofron dhe mishëron vlera alternative. Së fundi, Benedikti XVI u kërkoi Eprorerve të Përgjithshme të bashkëpunojnë me ipeshkvijtë, meshtarët, laikët dhe familjet në mënyrë që të plotësohen sa më mirë nevojat e njeriut të sotëm, të ndihmohet ai në vuajtje, në varfëri materiale e sidomos shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.