Përfundoi vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Konferencës SS Cirili e Metodi në Vatikan.
Intervistë me ipeshkvijtë shqiptarë
(06.05.07 RV)Javës që kaloi ishin në Vatikan për vizitë “ad Limina Apostulorum”,
ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shenjtorëve Çirili e Metodi,
ku përfshihen Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia. Ndër ipeshkvijtë shqiptarë të
pranishëm, kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi dhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë
Gjergji. Të premten, ata u takuan në grup me Papën Benedikti XVI, i cili i priti në
audiencë private. Vendet e ndryshme e kontekstet e ndryshme shoqërore e fetare,
në të cilat ndodhen besimtarët tuaj – u tha atyre Ati i Shenjtë - ndikojnë jo pak
në jetën e tyre të krishterë. Mendoj, për shembull, për martesën ndërmjet bashkëshortëve
me besim apo fe të ndryshme, e cila kërkon nga ana juaj, të dashur Barinj, një kujdes
të veçantë shpirtëror dhe një bashkëpunim më harmonik edhe me Kishat e tjera të krishtera.
Gjithashtu, mendoj për edukimin fetar të brezave të rinj, i cili duhet pa tjetër të
parashikohet në programet shkollore. Duke treguar se i kishte kuptuar fort
mirë problemet kryesore të atyre trojeve, Papa vuri theksin mbi formimin e meshtarëve,
që në periudhën e seminarit. Nuk la pa përmendur edhe trashëgiminë e hidhur të lënë
nga komunizmi, i cili formoi një njeri të papërgjegjshëm, që ndodhet tani para rreziqeve
të materializmit perëndimor. U kërkoi ipeshkvijve të bëhen për këtë njeri një udhëheqje
e sigurtë. E në përfundim, edhe ftesa për të bashkëpunuar me ortodoksit. Por të ndjekim
përshtypjet e dy ipshkvijve shqiptarë, kryeipeshkvit të Tivarit imzot Zef Gashi dhe
ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit, nga takimi me Papën...