2007-05-05 14:46:55

Aktivitetet më të rëndësishme të Papës Benedikti XVI gjatë javës që kaloi


(06.05.07 RV)Dje, Ati i Shenjtë priti në sallën Klementina në Vatikan pjesëmarrësit në Takimin e Këshillit të lartë të Veprave Papnore Misionare dhe në Kongresin Botëror të Misionarëve “fidei donum”. Kongresi u zhvillua për të përkujtuar 50-vjetorin e Letrës Enciklike “Fidei Donum” të Shërbëtorit të Zotit, Papës Piu XII. Është pikërisht e asaj kohe, praktika e dërgimit të meshtarëve e rregulltarëve të bashkësive të lashta katolike në tokën e ungjillëzimit, ku lindnin bashkësi të reja katolike, të cilat kishin nevojë për ndihmë.
Duke i falenderuar për impenjimin e tyre edhe sot kudo në botë (kujtojmë se meshtarë e rregulltarë fidei donum janë dërguar edhe në Shqipëri), impenjim që shpesh ka kërkuar prej misionarëve martirizimin e derdhjen e gjakut për Krishtin, Papa Benedikti XVI tha:
Përvoja misionare lë një shenjë të pashlyeshme në atë që e kryen dhe njëkohësisht kontribuon për të ushqyer atë bashkim kishtar që i bën të gjithë të pagëzuarit të ndihen anëtarë të së njëjtës Kishë, Korp mistik i Krishtit.
Para takimit me Papën, misionarët morën pjesë në Meshën e Shenjtë të kremtuar nga kardinali Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, imzot Ivan Dias, ish-Nunc Apostolik në Shqipëri.


Po dje, Papa priti në Sallën Klementine, rojet zvicerane të Vatikanit me familjarët e tyre. Sot, në orën 17.00, 38 prej tyre janë betuar të “sakrifikojnë nëse është e nevojshme, edhe jetën” për të mbrojtur Papën dhe Pallatin Apostolik. Hyjnë kështu në gardën e famshme papnore, që i shërben Vatikanit që prej 5 shekujsh. Histora e rojeve zvicerane është e lidhur me sulmin e lanxekinekëve kundër Romës, më 6 maj 1527. 187 roje zvicerane, mercenarë të marrë si mbrojtës nga Papa Xhulio II della Rovere në vitin 1506, luftuan në portat e Bazilikës së Shën Pjetrit për të shpëtuar Papën Klementi VII. 140 prej tyre gjetën vdekjen e vetëm 47 arritën ta shoqëronin Papën përmes mureve që lidhin Shën Pjetrin me Kështjellën e shën Engjëllit, ku gjetën strehë të sigurtë. Për t’ia dalë mbanësh detyrës së vështirë, u tha atyre Papa Benedikti XVI dje, ushqejeni shpirtin me lutje e dëgjoni Fjalën e Zotit, merrni pjesë me devocion në Meshën Shenjte e përkushtojuni shën Marisë.


Të premten, Ati i Shenjtë priti në Vatikan, ish-presidentin e Iranit, Sejed Mohamad Khatamì. Të kapërcehen tensionet ndërmjet kulturave e feve dhe të mbështen nismat për negociata serioze që sjellin paqen në Lindjen e Mesme: kështu i tha Papa Benedikti XVI ish-presidentit iranian.


Udha e privilegjuar për ta njohur Hyjin është dashuria: kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar Origjenit, “mësuesit të madh aleksandrin” të Kishës së lashtë. Papa, duke iu referuar muajit të majit që në mënyrë të posaçme i kushtohet Virgjërës Mari, ia besoi besimtarët mbrojtjes amnore të Zojës së Bekuar.
Në katekizmin e audiencës, Benedikti XVI nënvizoi dy aspekte të doktrinës origjeniane: së pari mësimi i Origjenit mbi lutjen dhe së dyti ai mbi Kishën.


“Mjedisi dhe zhvillimi i përshtatshëm”, të drejtat e njeriut, si burrë dhe grua, krijuar sipas imazhit të Zotit, “barazia dhe mundësia” për të shfrytëzuar “të mirat shpirtërore” siç janë “edukimi dhe njohja”: sipas Papës Benedikti XVI këto janë tri sfidat kryesore të botës së sotme, që kërkojnë një impenjim bindës drejtësie e dashurie. Kështu shkruan Ati i Shenjtë në mesazhin e tij me rastin e Mbledhjes Plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore që u zhvillua në Vatikan javën e kaluar mbi temën: “Dashuria e Drejtësia në marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.