2007-05-04 16:07:50

Papa priti në audiencë ish presidentin e Iranit, Khatam: kapercimi i tensioneve mes kulturave e feve dhe mbeshtetja e negociave serioze per Lindje te Mesme.


(05.5.07 RV)Të kapërcehen tensionet ndërmjet kulturave e feve dhe të mbështen nisma të negociatave serioze për Lindjen e Mesme: mbi këto pika Papa Benedikti XVI ka folur me ish presidentin iranian, Seyyed Mohammad Khatami, të cilin e priti sot paradite në audiencë në Vatikan.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI foli gati gjysëm ore me ish kreun e Shtetit të Iranit, Khatami, i cili pastaj u ndal për një gjysëm ore tjetër në bisedë me kardinalin Sekretar të Shtetit të Vatikanit, Tarcisio Bertonen, shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominique Mamberti, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetët. “Takimi” – informon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit –“ka mundësuar që bashkëbisedimet të ndaleshin mbi aspekte të rëndësishme siç është dialogu ndërmjet kulturave, çka do të ndihmonte në tejkalimin e tensioneve të rënda që karakterizojnë kohët tona dhe tek promovimi i një bashkëpunimi të frytshëm në shërbim të paqes e të zhvillimit të të gjithë popujve. Po kështu gjatë takimit është vu theksi – vijon nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – tek kushtet, tek gjendja dhe problemet e bashkësisë kristiane në Lindje të Mesme dhe në Iran”. E, lidhur me “situatën e Lindjes së Mesme, është ripohuar edhe nevoja e nismave të forta nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare” – sikur se Konferenca mbi Irakun në Sharm-el-Sheik- që ka në rend të ditës negociatat serioze, që kanë parasysh të drejtat dhe interesin e të gjithëve, në respektimin e legalitetit ndërkombëtar e më vetëdije - përfundon nota e Vatikanit – se nevojitet rikrijimi i besimit të anasjelltë”.
Në mbarim të bisedës ndërmjet Papës Benediktit XVI e Khatamit, shkëmbimi i dhuratave: ish presidenti iranian i ofroj Atit të Shenjtë një botim pikturash të Iranit me imazhe simbolike mbi temën e paqës, e Papa i dhuroj një penë artistike kushtuar 500 vjetorit të Muzeumeve të Vatikanit.
Vizita e Khatamit tek Benedikti XVI ishte një vizitë e pritur, programuar qysh në nëntorin e kaluar, pastaj anulluar “per motive të rendit ndërkombëtar”, pas reagimeve të botës musulmane ndaj fjalimi të Papës shqiptuar në Universitetin e Regensburgut.
Me këtë rast po kujtojmë edhe takimin e mëparshëm, të marsit të vitit 1999, ndërmjet Khatamit –kujtojmë se aso kohe ishte në udhëheqje të Iranit nga 1997 deri më 2005 – e Gjon Palit II-të, ai qe takimi i parë në histori të një presidenti iranian me Papën në Vatikan, takim i cili u zhvillua – qe komentuar në atë kohë- në një frymë dialogu ndërmjet mysulmanëve e të krishterëve. E sot fjalët e Khatamit që tha posa mbërrini mbrëmë në Romë, lënë për të shpresuar. “Në një botë në të cilën gjëja më e rëndësishme është dhuna, vetëm të flasësh për paqen, duket gjë jashtëzakonisht e madhe”:tha ish presidenti iranian duke përshëndetur pjesëmrrësit e Kuvendit që po mbahet pranë Universitetit Papnor Gregoriana mbi temën: “Dialogu ndërkulturor: një sfid për paqen”.
E sot para dite gjithnjë në selinë e Universitetit Gregoriana, Khatami ka uruar të ketë “përpjekje të përbashkëta në të ardhmen” me Papën për të shëruar “vuajtjet e kësaj bote”, por ndoshta- shtoi ai – një takim i vetëm nuk mund të mjaftojë, sepse “plagët mjerisht janë shumë të mëdha”.
Programi i vizitës së Khatamit në Itali ku do të qëndrojë deri më 10 maj është i ngjeshur me takime të ndryshme, do të takohet me kryeministrin italian Prodi, përveç me ministrin e Jashtëm D’Alema, me presidentin e Parlamentit Bertinotti, me presidentin e Unionit ndërparlamentar Casini e autoritete të ndryshme politike e fetare në Napoli, Palermo, Milano, Forlì e në Bari të Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.