Fajlimi i Papës Benedikti XVI drejtuar ipeshkvijve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës
e Serbisë
(04.05.07 RV)Nesër përfundon
vizita ad Limina e ipeshkvijve të Konferencës së shenjtërve Çirili e Metodi në Vatikan.
Sot, prelatët nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova u takuan me Papën Benedikti
XVI, në audiencë private. Siç ju kemi njoftuar edhe më parë, në mesin e tyre ndodhen
imzot Zef Gashi, kryeipeshkvi i Tivarit në Malin e Zi dhe imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv
i Kosovës. Ati i Shenjtë i ftoi ipeshkvijtë të udhëheqin grigjën që u është besuar,
nga trashëgimia e rëndë e komunizmit në integrimin evropian, pa e lënë të humbasë
në shtigjet e errta të materializmit e relativizmit perëndimor. Por ja fjalimi i plotë
i Benediktit XVI:
Të dashur vëllezër në Episkopat! “Zoti i shpresës,
që na mbush me çdo gëzim e paqe në fe përmes fuqisë së Shpirtit Shenjt, qoftë përherë
me ju” (Rm 13,13). Është kënaqësi për mua t’ju pres me këto fjalë të marra nga Letra
e shën Palit Apostull drejtuar Romakëve: po, Zoti i shpresës ju mbushtë me ngushëllimet
e tija hyjnore! Me këtë urim përqafoj vëllazërisht secilin prej jush, Barinj të dashur
të një pjese të grigjës së Zotit, që për mua është veçanërisht e dashur! Ju vini nga
vende të ndryshme, që kanë etni, kultura e gjuhë të ndryshme, por ku bashkësitë kishtare
janë të bashkuara në të njëjtën fe në Krishtin e ngjallur, trashëguar nga Apostujt.
Mirësevini.
Përshëndes secilin prej jush, ndërsa falenderoj nga zemra për
fjalët e përzemërta që më drejtoi, Kryeipeshkvin Stanislav Hoçevar, President i Konferencës
suaj Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shenjtërve Çirili e Metodi, formuar në dhjetor 2004
nga Parardhësi im, Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II. Presidenti juaj interpretoi ndjenjat
e bashkimit që ju lidhin me Pasardhësin e Shën Pjetrit: ju jam mirënjohës. Kjo shtëpi
është edhe juaja; në të mund të eksperimentoni katolicitetin e Kishës së Krishtit,
që e shtrin tendën e vet deri në kufijtë më të largët të tokës. Në përfundim të vizitës
suaj “ad Limina Apostulorum”, ju përsëris mirënjohjen time të sinqertë, të cilën ju
kërkoj që t’ia përçoni edhe bashkësive tuaja, mbështetjen e të cilave me lutje e kërkoj
plot besim. I siguroni të gjithë – meshtarë, rregulltarë e rregulltare, fëmijë e të
rinj, të moshuar e familje – se Papa u qëndron afër dhe i kujton çdo ditë në lutjet
e veta drejtuar Zotit. U kërkoj të gjithëve të ngulin këmbë në rrugën e bashkimit,
në hapjen e anasjelltë dhe në frymën e vëllazërimit.
Vendet e ndryshme e kontekstet
e ndryshme shoqërore e fetare, në të cilat ndodhen besimtarët tuaj, të nderuar Vëllezër,
ndikojnë jo pak në jetën e tyre të krishterë. Mendoj, për shembull, për martesën ndërmjet
bashkëshortëve me besim apo fe të ndryshme, e cila kërkon nga ana juaj, të dashur
Barinj, një kujdes të veçantë shpirtëror dhe një bashkëpunim më harmonik edhe me Kishat
e tjera të krishtera. Gjithashtu, mendoj për edukimin fetar të brezave të rinj, i
cili duhet pa tjetër të parashikohet në programet shkollore. E si të mos përmendim
pastaj, atë aspekt themelor për jetën kishtare, që përbëhet nga formimi i meshtarëve
dhe i rregulltarëve e nga shoqërimi i tyre shpirtëror në kontekstin shumëfetar për
të cilin folëm? Di që ekziston një projekt për ngritjen e një Seminari të Madh në
Suboticë: inkurajoj me gjithë zemër iniciativën, për shërbimin e mirë që mund të kryejë
për disa dioqeza. Duhen ndihmuar seminaristët që të rriten me vetëdijen e qartë se
presbiteri është “alter Christus”, i cili duhet të kultivojë marrëdhënie intime me
Jezusin, nëse dëshiron të realizojë plotësisht misionin e tij e të mos konsiderohet
si një “funksionar” i thjeshtë i një organizate kishtare. Meshtari është në shërbim
të plotë të Kishës, organizëm i gjallë dhe shpirtëror, që e merr energjinë jo nga
komponente nacionaliste, etnike apo politike, por nga veprimi i Krishtit të pranishëm
në ministrat e vet. Në fakt, Zoti e ka dashur Kishën të hapur për të gjithë; Apostujt
e kanë ngritur kështu që nga hapat e para të krishterimit dhe Martirët e kanë dëshmuar
me gjakun e tyre shenjtërinë dhe “katolicitetin” e saj. Në vazhdën e shekujve, Tradita
e ka mbajtur të pandryshuar karakterin e saj universal, ndërsa përhapej duke hyrë
në kontakt me gjuhë, raca, kombe dhe kultura të ndryshme. Ju mund ta shihni çdo ditë
këtë bashkim të Kishës në shumëllojshmëri.
Vëllezër të dashur e të nderuar,
gjatë këtyre ditëve, pata mundësinë ta njoh më mirë realitetin e Dioqezave tuaja,
të përbëra shpesh nga një grigjë e vogël e futur në kontekste të ndryshme shumëetnike,
shumëkulturore e shumëfetare. Prandaj misioni juaj nuk është i lehtë! Por me ndihmën
e Zotit, e me butësinë e Shpirtit të tij, i këshilloni ata që Ai vetë ia ka besuar
kujdesit tuaj, të mos lodhen së qeni “tharm” ungjillor që fermenton shoqërinë. Në
këtë mënyrë, sëbashku, sipas këshillës së shën Pietrit Apostull, do të mund të dëshmoni
shpresën që ju frymëzon. Do ta realizoni këtë në saj të besnikërisë së vazhdueshme
ndaj Krishtit, në sajë të një praktike të vazhdueshme sakramentore dhe në sajë të
përkushtimit bujar apostolik. Për këtë qëllim, do të jetë e nevojshme të përfshihet
çdo anëtar i popullit të Zotit, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për formimin
e krishterë, që ndodhet në idiomat e ndryshme të popullsisë.
Një vepër e tillë
e përbashkët pastorale nuk mund të mos sjellë edhe ndikim pozitiv në fushën civile.
Në fakt, ndërgjegje të pastra të formuara sipas Ungjillit do të shtyhen më lehtë në
ndërtimin e një shoqërie me përmasa njerëzore. Një modernizëm i kuptuar keq priret
sot të vërë në dukje në mënyrë të tepruar nevojat e individit në dëm të detyrave që
çdo person ka ndaj Zotit e ndaj bashkësisë që i përket. Për shembull, është e rëndësishme
të vihet në dukje koncepti i drejtë i përgjegjësisë civile dhe publike, sepse pikërisht
nga ky vizion rrjedh impenjimi për respektimin e të drejtave të secilit dhe për integrimin
bindës të një kulture me të tjerat, duke mbrojtur së bashku të mirën e përbashkët.
Provania
Hyjnore i ka vendosur popujt tuaj në kontekstin e një kontinenti evropian që po ristrukturohet
gjatë këtyre viteve. Edhe Kishat tuaja ndihen pjesëmarrëse në këtë proces historik,
duke e ditur se mund të japin kontributin e tyre të veçantë. Fatkeqësisht, pengesat
nuk mungojnë: mjetet e pakta në dispozicion për shkak të situatës ekonomike dhe numri
i vogël i forcave katolike mund t’ju shkurajojnë. Nuk është e lehtë të harrohet trashëgimia
e rëndë e mbi 40 vjetëve të monizmit, e cila ka shkaktuar sjellje shoqërore që nuk
e kuptojnë lirinë dhe përgjegjësinë personale, dhe njëkohësisht, është e vështirë
t’u rezistohet tundimeve të materializmit perëndimor me rreziqet e relativizmit e
liberalizmit etik, të radikalizmit dhe të fondamentalizmit politik. Mos e humbni kurajon,
por bashkoni forcat dhe vazhdoni me durim veprën tuaj, të sigurtë se një ditë, me
ndihmën e Zotit, do të vilni frytet që Ai vetë do të pjekë sipas planeve të tij të
mistershme të shpëtimit.
Në këtë çast, dua tju siguroj se Papa ju qëndron
afër dhe ju inkurajon të ecni përpara, me besim në ndihmën e Zotit, Bariut të Mirë.
Të dashur Vëllezër, qëndroni gjithnjë pranë besimtarëve tuaj: ata kanë nevojë për
mësues të urtë, për barinj të shenjtë, për udhëheqës të sigurtë, të cilët me shembullin
e tyre u tregojnë rrugën e bashkimit të plotë me Krishtin. Qëndroni të bashkuar, kujdesuni
për thirrjet në meshtari e në jetën e shuguruar; nxitini veprimtarët pastoralë; këshillojini
laikët të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në fushën civile dhe kishtare, sipas
frymës së Enciklikës “Gaudium et Spes”, që të jenë në gjendje të japin një dëshmi
të qartë, me të vërtetë katolike. Zoti ju ka vendosur në kontakt të ngushtë me vëllezërit
ortodoksë: si gjymtyrë të të njëjtit Korp, kërkoni çdo bashkëpunim të mundshëm në
shërbim të Mbretërisë së vetme të Hyjit. Të mos mungojë gatishmëria për të bashkëpunuar
edhe me besimet e tjera të krishtera e me çdo person vullnetmirë për të promovuar
çdo gjë që mund të jetë e dobishme për përhapjen e vlerave ungjillore.
Vëllezër
të dashur e të nderuar, në këtë takim desha të vë në dukje disa aspekte të jetës së
Bashkësive tuaja, që dolën në pah nga takimet tona individuale. Duke ju përshëndetur,
ju siguroj edhe një herë dashurinë dhe lutjen time. Ndërsa kërkoj mbrojtjen e shën
Marisë, Mbretëreshës së Apostujve, dhe të Shenjtërve Çiril e Metod, Pajtorë të Konferencës
suaj Ipeshkvnore Ndërkombëtare, u jap të gjithëve Bekimin Apostolik, duke e shtrirë
me gjithë qejf për të gjithë besimtarët që i janë besuar kujdesit tuaj baritor.