2007-05-03 18:19:50

Presidencialet në Francë; NATO mbi Rusinë e Estoninë.


(03.05.07 RV)Debati televiziv i mbrëmshëm ndërmjet kandidatit të djathë Nikolas Sarkozì dhe socialistes Segolen Ruajal, i ndjekur nga 20 milion francezë, qe momenti kulmor i fushatës elektorale që do ta çojë Francën në ballotazhin presidencial të së dielës së ardhshme. Sondazhet japin si fitimtar ministrin e brendshëm Sarkozì, por debati i djeshëm i ka nxjerrë kandidatët si të barabartë. Pavarësisht se mjaft të apasionuar, të tensionuar e të ashpër, asnjëri prej dy kandidatëve, sipas vëzhguesve, nuk arriti t’i japë goditjen vendimtare tjetrit. Kandidati i qendrës, Bajrù, nga i cili varen votat e centristëve, ka deklaruar se nuk do të votojë Sarkozìnë, por e ka lënë të hapur mundësinë për të votuar kandidaten socialiste apo për ta dorëzuar fletën e bardhë.


NATO-ja është thellësisht e shqetësuar për rëndimin e krizës ndërmjet Rusisë dhe Estonisë, në veçanti për kërcënimet e vazhdueshme kundër diplomatëve estonë me mision në Moskë. Në një notë, të publikuar në Bruksel, Aleanca flet “për akte të papranueshme që duhet të ndalen menjëherë” dhe u bën thirrje Rusisë dhe Estonisë ta zgjidhin çështjen me rrugë diplomatike. Autoriteteve të Moskës, NATO-ja u kërkon që të respektojnë impenjimet e nënshkruara në konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike. Problemet kanë lindur pas heqjes së statujës së ushtarit sovjetik nga qendra e kryeqytetit të Estonisë, Talin.







All the contents on this site are copyrighted ©.