2007-05-03 18:08:10

Grupi i Kontaktit mundohet të bindë Rusinë për Kosovën


(03.05.07 RV)Grupi i Kontaktit është mbledhur sot në Londër, në përpjekjen për të zbutur qëndrimin e Rusisë ndaj planit të Ahtisarit për Kosovën. Është një takim rutinë në nivelin e drejtorëve politikë, përfaqësues të Italisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe SHBA-ve, por nënsekretari amerikan i shtetit, Nikolas Bërns, saktësoi mbrëmë se objektivi është të punohet me zv.ministrin e jashtëm rus, Titov, për t’u marrë vesh mbi një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, që duhet miratuar pas 30 ditësh. Është i pranishëm edhe i ngarkuari i posaçëm për statusin Marti Ahtisari, i cili është takuar me ministrin britanik për Evropën, Xhef Hun.
Nga ana tjetër, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin ka deklaruar se misioni i Këshillit të Sigurimit në Kosovë, në të cilin ai vetë ka marrë pjesë, ka vënë re se vetëm 5% e serbëve është kthyer në shtëpitë e veta. Ekziston një atmosferë pasigurie dhe frike në zonë, ka theksuar ai, prandaj pavarësia e Kosovës nuk do t’i ndihmonte serbët të ktheheshin. Serbia shpreson se Rusia do të përdorë veton kundër planit të Ahtisarit.


Sot ndodhet për vizitë në Kosovë, Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Franc Jozef Jung. Ai është takuar me ushtarët gjermanë, që shërbejnë në kuadër të misionit ndërkombëtar paqeruajtës, KFOR, në Prizren. Nesër, Jung pritet të shkojë në Prishtinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.