2007-05-02 17:49:51

Turqia drejt zgjedhjeve të parakohshme. Intervistë me editorialistin e "Corriere della Sera"


(02.05.07 RV)Kryeministri turk Erdogan i kërkon parlamentit zgjedhje të parakoshshme dhe reformën e Kushtetutës, në pjesën që i përket presidentit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dje e shpalli të pavlefshëm votimin e kryer në parlament të premten e kaluar, me të cilin partia në pushtet propozoi si kandidat për president, ministrin e jashtëm Abdullah Gyl, kryeministri shpalosi sot një strategji, që kërkon zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit nga populli dhe jo nga parlamenti. Kundër janë opozita, ushtarakët e presidenti aktual Sezer. Komisioni Evropian e ka përshëndetur vendimin e parlamentit, i cili ndërkaq ka vendour për zgjedhje të reja parlamentare, të dielën, dhe i ka ftuar autoritetet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Erdogan e ka përkufizuar vendimin si “plumb kundër demokracisë”. Por për një analizë më të hollësishme pyetëm Antonio Ferrarin, editorialistin e gazetës italiane “Corriere della Sera”:
RealAudioMP3 Gjykata Kushtetuese ka garantuar se për zgjedhjen e presidentit të Republikës, nëse nuk ndryshon Kushtetuta, duhen 367 deputetë. Të premten nuk ishin të pranishëm. Tani, nga njëra anë kërkohen zgjedhje të parakoshme, nga ana tjetër, Erdogan do të dëshironte një seri reformash kushtetuese: të transformojë Republikën turke në një Republikë presidenciale, të ulë moshën e kandidatit për president në 25 vjeç, të zvogëlojë kohëzgjatjen e legjislaturës. Të gjitha gjëra që teorikisht janë të mundshme, por jo në këtë situatë. Por, partia e tij ka vendosur që parlamenti të mblidhet sërish për një votim të ri, që do të konsiderohet si i parë, meqë ai tjetri është anulluar. Por nëse nuk kishte 367 vetë të pranishëm atëherë, tani, pas paralajmërimit të ushtarakëve, ka pak probabilitet që të vijnë. Prandaj, rrezikohet vetëm një humbje kohe. Mendoj se manovrat e mëdha për fushatën zgjedhore kanë filluar tashmë.
Me ndërhyrjen e ushtarakëve duket se kemi një konflikt të hapur ndërmjet laicitetit të shtetit dhe demokracisë, apo jo?
Po, por nuk duhet të harrojmë se në fakt, ky ligj zgjedhor, siç ka qenë deri tani, ka krijuar probleme, pasi gjatë zgjedhjeve të kaluara, partia e Erdoganit me 34,6% të votave fitoi gati dy të tretat e vendeve në parlament. Mendoj se është pikërisht kjo që i tremb laikët e vendit, është fakti se islamikët mund ta shndërrojnë Republikën dalëngadalë, nga laike në islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.