Shqipëria përpiqet të luftojë terrorizmin dhe është e 50-ta për lirinë e shtypit,
sipas SHBA-ve.
(02.05.07 RV)Gati një muaj para vizitës së presidentit amerikan Bush në Shqipëri,
më 10 qershor, Departamenti amerikan i Shtetit bën të ditur raportin e tij vjetor
mbi luftën kundër terrorizmit, i cili i referohet situatës së vitit 2006. Sipas tij,
Shqipëria ka kontribuar me trupa në Afganistan dhe Irak, ka bllokuar llogaritë bankare
të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe ka punuar me SHBA-të
dhe vendet e tjera në luftën kundër terrorizmit. Tirana ka bërë përparime, theksohet
në raport, sidomos përsa i përket identifikimit të pikave të dobta në kufi, por qeveria
dhe forcat e policisë kanë hasur vështirësi të mëdha në forcimin e sigurisë në kufi
dhe në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit. Raporti përmend faktin që Shqipëria
u ka dhënë strehim politik disa prej të burgosurve të Guantanamos, pasi Amerika i
ka deklaruar të padëmshëm. Vihet në dukje se sistemi shqiptar vuan nga burime të pakta
financiare, komunikime të papërshtatshme, mungesë infrastrukture për përpunimin e
informacionit dhe mungesë personeli me përvojë për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme.
Organizata
amerikane “Freedom House” publikoi sot raportin e saj vjetor për lirinë e shtypit
në botë. Në fund të listës, vende si Burma, Kuba, Libia, Koreja e Veriut dhe Turkmenistani.
Shqipëria renditet në vendin e 50-të, si vend ku liria e shtypit mbrohet. Vendi ka
66 televizione private, 45 radio dhe rreth 200 gazeta, por shumë prej tyre, theksohet
në raport, kanë mungesë fondesh, prandaj botuesit dhe pronarët e mediave kanë prirjen
të diktojnë një politikë editoriale, mbi bazën e lidhjeve politike dhe ekonomike,
e cila krahas pasigurisë së punës për gazetarët, ushqen kulturën e vetë-çensurimit.
Raporti u publikua në prag të 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.