2007-04-29 17:40:54

Sot Kisha katolike shpalli të lume rregulltaren Maria Roza Pelezi


(29.04.07 RV)RealAudioMP3 Meshën solemne me ritin e lumnimit, kremtuar në katedralen e Riminit, në Itali, e kryesoi përfaqësuesi i Atit të Shenjtë, kardinali Hosè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Motër Maria Roza Pelezi, lindur më 1917, vdekur më 1972, ishte vetëm 23 vjeçe kur hyri në Kongregatën e Motrave Françeskane Misionare të Krishtit, ku jetoi shenjtërisht, duke mbartur me durim të pashoq sëmundjen e tuberkulozit, që i shkaktoi edhe vdekjen.
Ja si shprehet , në mikrofonin e Radios sonë, postulatori i çështjen së lumnimit, atë Florio Tesari:
Përgjigje: - Bruna Pelezi ( me emrin rregulltar Mari Roza) lindi në Frinjano. Motër e vetme e nëntë vëllezërve, qe vajzë plot gjallëri, plot dashuri për të gjithë, posaçërisht për Jezusin, të cilit ia dhuroi gjithë vetveten duke hyrë në Kongregatën e Motrave Françeskane Misionare të Krishtit. Ishte vetëm 27 vjeç, kur u sëmur nga tuberkulozi. U detyrua të jetonte më shumë në sanatorium sesa në kuvend, duke e duruar sëmundjen për 27 vjet, pa u ankuar kurrë, deri në fjalët e fundit: “Ajo që vlen më shumë në jetë, është të duash Zotin. Jam e lume, sepse po vdes e dashuruar me Zotin e me të gjithë”.
Pyetje: - Cila ishte karizma e së Lumes Maria?
Përgjigje: - Ishte e thjeshtë, e gatshme për ta parë Krishtin në realitetin e përditshëm, për të shërbyer, për t’u gëzuar e për të vuajtur për dashuri të Tij. Katër janë të fshehtat e jetës së saj shpirtërore: T’i përkiste plotësisht Krishtit; të duronte vuajtjen pa hapur gojë, si Krishti në kryq; të lidhej nguhsht me Eukaristinë; të bënte vetëm mirë, gjithnjë, gjithkujt”.
Pyetje: - Mesazhi i së lumes për ditët tona?
Përgjigje: - Motra Mari jetoi jashtë mureve të kuvendit, mbyllur në muret e sanatoriumit, e megjithatë ia doli të mbetej e lidhur ngusht me Krishtin. Me jetën e saj na thotë se shenjtëria është e mundur për të gjithë, në të gjitha rrethanat e mjediset. Dëshmon kështu se njeriu mund ta gjejë lumturinë edhe në shtratin e sëmundjes e të vdekjes, kur sëmundje e vdekje ia kushton një qëllimi tepër të lartë: dashurisë së Zotit, duke ecur në një rrugë tepër të përvujtë, që të bën vërtetë të madh, si murgeshën e thjeshtë, gjithnjë të sëmurë, që sot u lartua në nderimet e lterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.