2007-04-29 17:42:54

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar


(29.04.07)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën IV të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Katerinën e Sienës, virgjër, dijetare e Kishës, pajtore e Italisë e bashkëpajtore e Evropës.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Piut V papë dhe e Shën Kuirinit martir. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.
Liturgjia e të martes na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”. Është 1 maji, festa e Shën Jozefit punëtor që, duke e mbajtur Familjen Shenjte me mundin e duarve të veta, u bë shembull e pajtor për të gjithë njerëzit që plotësojnë nevojat e familjes së tyre e të mbarë familjes njerëzore me punën e përditshme të duarve të tyre.
E më 1 maj fillon edhe muaji i Zojës.
Jezusi na dëftoi Fjalën e Zotit e fytyrën e Atit: të besosh në Të do të thotë ta shpëtosh jetën tënde të përkohshme, të ecësh në dritë e të gjesh jetën e pasosur me Hyjin Atë. Këtë na kujton Shën Athanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës që do të përkujtohet të mërkurën.
Të enjten do të kremtohet festa e Shenjtorëve Filipi dhe e Jaku i Vogël, apostuj, Eveci, Aleksandri e Teoduli. Na kujtojnë se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt. Jezu na prin te Ati për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte.
Të premten, në festën e Shën Antonit, martir e të Shën Florianit, liturgjia i jep përgjigje pyetjes jetike që i bën vetes çdo njeri: prej nga vijmë, pse jetojmë e ku shkojmë? Kush beson në Krishtin, nuk ka frikë nga vështirësitë, e as nga vetë vdekja. Ai na përgatit një vend e na merr me vete, sepse na do. Gjithë jeta e Tij dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend edhe për ne.
Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt. Këtë na kujton festa e Shën Angjelinit dhe e të Lumit Nunci Sulpricio nga Napoli, që do të përkujtohen të shtunën.







All the contents on this site are copyrighted ©.