Fillon vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Serbisë, Malit të Zi, Kosovës e Maqedonisë
(29.04.07 RV)Nesër fillon Vizita ‘ad Limina’ e prelatëve të Konferencës Ipeshkvnore
ndërkombëtare të Shenjtorëve Çirili e Metodi. Kjo Konferencë përfshin Serbinë, Malin
e Zi, Kosovën e Maqedoninë. Do të jenë, prandaj, të pranishëm edhe barinjtë e shqiptarëve
të Malit të Zi e të Kosovës, kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi dhe ipeshkvi
i ri i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Kanë kaluar më se pesë vjet nga vizita e mëparshme
‘ad Limina’ e Ipeshkvijve të kësaj Konference, të cilët nisën takimin me Papën Gjon
Pali II në fillim të shkurtit 2001, për t’u pritur në audiencë më 16 shkurt 2001.
Ndërmjet Ipeshkvijve të ish-Jugosllavisë, që kryesoheshin nga kryeipeshkvi i Beogradit,
imzot Franc Perko, ishin edhe ipeshkvijtë shqiptarë, kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot
Zef Gashi dhe ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, të cilët gjatë takimit me Papën
prekën problemet më të mprehta të situatës së krijuar në dioqezat e tyre, tronditur
thellë nga konflikti i ashpër në Ballkan. Tani konflikti ka përfunduar, por jo
shqetësimet. Harta e ish-jugosllavisë ka ndryshuar. Mali i Zi është shkëputur nga
Serbia, në sa në plan të parë mbetet gjithnjë zgjidhja përfundimtare e çështjes së
statusit të Kosovës. Mbeten, prandaj, aktuale porositë që u pat dhënë Papa Gjon Pali
II ipeshkvijve në një situatë tepër dramatike tensionesh politike e shoqërore, që
krijojnin rrezikun për shpërthimin e konflikteve të reja: mospranim i dhunës, dialog,
falje!