2007-04-27 15:29:20

NATO mbështet planin e Ahtisarit. Sa më shpejt, rezoluta e re për Kosovën.


(27.04.07 RV)Ndërsa Misioni i Këshillit të Sigurimit vizitonte Mitrovicën në Kosovë, në Oslo u zhvillua sot mbledhja e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku u fol gjerësisht për Kosovën. Pati një mbështetje të përgjithshme për planin e Ahtisarit dhe për faktin se Këshilli i Sigurimit duhet të arrijë sa më shpejt në miratimin e një rezolute të re. Aleatët, tha për shtypin zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të Paktit, “nuk do ta shohin Kosovën si një rast të izoluar dhe NATO-ja nuk do ta trajtojë Kosovën si një çështje të izoluar”.
Vetë Sekretari i përgjithshëm, Jap de Hop Skefer deklaroi se “Ky është një moment shumë kritik në zhvillimin e problemit. Në fakt, kemi përpara dy rrugë: nga njëra anë ekziston procesi i kontrolluar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila jep një bazë ligjore dhe një rrugë politike për të arritur në zgjidhje; nga ana tjetër, ekziston alternativa e një procesi të pakontrolluar, të karakterizuar nga rreziqe të paparashikuara”. Natyrisht NATO-ja dëshiron rrugën e parë. Janë politikanët ata që marrin vendime, theksoi Skefer, por NATO-ja ka të impenjuar në terren 16 mijë burra e gra me uniformë e një interes të madh që procesi të përfundojë sa më shpejt.
Nga Serbia kërkohet bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, për të arritur më pas në një pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet e iniciativës Partneritet për Paqe e më vonë në integrimin e mundshëm në strukturat e Paktit të Atllantikut.







All the contents on this site are copyrighted ©.