2007-04-27 15:11:30

Filluan në Vatikan punimet e plenares të Akademisë së Shkencave Shoqërore mbi temën: "Mungesa e dashurisë dhe e drejtësisë në botë".


(27.04.2007 RV) “Dashuri e drejtësi në marrëdhëniet ndërmjet popujve e kombeve”: kjo është tema e sesionit të 13-të të Akademisë së Shkencave Shoqërore, që filloi sot punimet në Vatikan, për të përfunduar më 1 maj. Po flitet me shqetësim për mungesën e dashurisë e të drejtësisë në botën e sotme, për rishfaqjen e nacionalizmit në formën e armiqësisë kundër emigracionit, për proteksionizmin komercial dhe mungesën e barazisë në shumë drejtime, siç është barazia ndërmjet burrit e gruas, barazia në mbrojtjen e shëndetit e në disa fusha të tjera, gjë që cënon rëndë dinjitetin e njeriut. Dje, gjatë paraqitjes së plenares në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u nënvizua se të ashtuquajturat Objektiva të Mijëvjeçarit për luftën kundër varfërisë, pandemive e shkeljes të të drejtave të njeriut, janë realizuar pak e aspak, pa llogaritur problemet e reja që shtrohen çdo ditë për zgjidhje para njerëzimit.Takimi frymëzohet nga Enciklika e Benediktit XVI ‘Deus caritas est’ – ‘Zoti është dashuri’ që pjesërisht është enciklikë shoqërore. Krijon, prandaj, mundësi për të reflektuar mbi kushtet e jetesës në shoqërinë bashkëkohore, ku ndjehet fuqimisht nevoja për dashuri e për drejtësi, të cilat mungojnë gjithnjë më shumë. E kjo ka pasoja të rënda sidomos mbi jetën e njerëzve të varfër.







All the contents on this site are copyrighted ©.